Administratat tatimore të vendeve europiane mund të kryejnë auditime të përbashkëta me tatimet shqiptare, kur vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Për konsultim publik është hedhur projektligji “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor”, i hartuar për përafrimin me Direktivën 2011/16/BE.
Drafti krijon bazën ligjore për auditime të përbashkëta, ndërsa informacioni nuk do të mund të refuzohet vetëm për faktin se mbahet nga një bankë apo institucion financiar.
Relacioni që shoqëron projektligjin thekson se legjislacioni aktual “nuk përmban një kuadër të konsoliduar” që mbulon të gjitha format e bashkëpunimit të parashikuara nga direktiva, përfshirë auditimet e përbashkëta dhe kontrollet e njëkohshme.
Sipas projektligjit, me kërkesë të një autoriteti tatimor të një shteti anëtar, nëpunësit e tij të autorizuar mund të jenë të pranishëm në zyrat e administratës tatimore shqiptare, të ndjekin hetime administrative në Shqipëri ose të marrin pjesë në to elektronikisht. Kur përfshihen në hetim, ata mund të intervistojnë individë dhe të shqyrtojnë të dhëna, dokumente dhe regjistra sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Drafti krijon gjithashtu procedurën për kontrolle të njëkohshme dhe auditime të përbashkëta. DPT dhe një ose më shumë administrata tatimore të BE-së mund të kontrollojnë në territoret e tyre persona që paraqesin interes të përbashkët ose plotësues, ndërsa secila palë duhet t’i përgjigjet një propozimi për auditim të përbashkët brenda 60 ditëve.
Kur një auditim i përbashkët zhvillohet në Shqipëri, zyrtarët e huaj do të veprojnë në prani dhe nën drejtimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e Tatimeve shqiptare. Ata mund të intervistojnë persona dhe të shqyrtojnë dokumente së bashku me nëpunësit e DPT-së, ndërsa provat e mbledhura trajtohen sipas të njëjtave kushte juridike si ato të siguruara në një auditim të kryer vetëm nga administrata shqiptare.








