Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re që synon kufizimin e tarifave të shkëmbimit për transaksionet e pagesave me kartë, në një përpjekje për të ulur kostot për bizneset dhe për të nxitur përdorimin e pagesave elektronike në vend. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të kësaj të marte, ku u miratua rregullorja “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”.
Këto tarifa, të njohura si interchange, përbëjnë një komponent të rëndësishëm të kostos që tregtarët paguajnë për pranimin e pagesave me kartë. Përmes vendosjes së kufijve rregullatorë për këto tarifa, Banka e Shqipërisë synon të ulë kostot e pranimit të pagesave me kartë dhe të krijojë kushte më të favorshme për bizneset që ofrojnë këtë mundësi për klientët e tyre.
Ulja e kostove pritet të nxisë më shumë tregtarë të përfshihen në rrjetin e pagesave elektronike, duke zgjeruar mundësitë e konsumatorëve për të paguar me kartë dhe duke reduktuar varësinë nga paraja fizike. Një tjetër objektiv i rregullores është forcimi i konkurrencës në tregun e pagesave dhe rritja e transparencës për tarifat që lidhen me përdorimin e instrumenteve të pagesës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, miratimi i kësaj rregulloreje përmbush një nga detyrimet institucionale në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përbën një hap drejt modernizimit të tregut shqiptar të pagesave. Efekti konkret për bizneset dhe konsumatorët do të varet edhe nga mënyra se si kufijtë e rinj të tarifave do të zbatohen në treg dhe si do të reflektohen në kostot e shërbimeve të pagesave.







