Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e fundit të qeverisë për Rregulloren e Zhvillimit të Territorit kanë hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Mes një sërë ndërhyrjeve bie në sy një procedurë e re për shtyrjen e afatit të lejeve të ndërtimit për projekte të papërfunduara prej më shumë se pesë vjetësh, si dhe parashikimi i lëshimit të një certifikate të veçantë për fazën e karabinasë.
Sipas VKM-së nr. 388, datë 28 maj 2026, është shtuar neni 18/1 “Shtyrja e afatit të punimeve të papërfunduara prej më shumë se 5 vjetësh”. Dispozita parashikon se për lejet e ndërtimit “të cilave u ka përfunduar afati i vlefshmërisë dhe punimet sipas të cilave kanë filluar prej më shumë se pesë vjetësh dhe ende nuk kanë përfunduar”, subjektet zhvilluese mund të aplikojnë për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit.
Rregullorja përcakton se kërkesat do të shqyrtohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, në varësi të përputhshmërisë së projektit me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe vendndodhjes së tij.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu një afat të posaçëm aplikimi. Sipas pikës 2 të nenit të ri 18/1, “subjektet zhvilluese apo subjektet që kanë përfituar të drejtat e zhvillimit mund të aplikojnë për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit … brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”.
Për të përfituar shtyrjen e afatit, aplikuesit duhet të paraqesin dokumentacion që përfshin relacionin mbi arsyet e vonesës, projektin e plotë arkitektonik, deklaratën e inxhinierit konstruktor mbi qëndrueshmërinë e objektit dhe pagesën e gjobës sipas legjislacionit në fuqi.
Në të njëjtën dispozitë përcaktohet se, nëse subjektet nuk aplikojnë brenda afatit të parashikuar, “do të zbatohen rregullat për konfiskimin sipas parashikimeve të vendimit nr. 589, datë 7.9.2022”.
Një tjetër ndryshim i miratuar lidhet me fazën e karabinasë së ndërtesave. Në nenin 27 të rregullores është shtuar pika 10, sipas së cilës “pas përfundimit të ndërtimit të karabinasë, autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit lëshon certifikatën e karabinasë”.
Teksti saktëson se kjo certifikatë lëshohet “vetëm për punimet deri në fazën e karabinasë”.
Ndryshimet shoqërohen edhe me riformulimin e fazave të akteve të kontrollit gjatë ndërtimit. Neni 27/1 tashmë përfshin si fazë të veçantë “përfundimin e karabinasë së objektit”, krahas përfundimit të themeleve, instalimeve dhe fasadave.








