Qeveria ka hedhur për konsultim pubolik projektligjin “Për Inteligjencën Artificiale”. Drafti ka për qëllim krijimin e kuadrit ligjor për zhvillimin, vendosjen në treg, vënien në shërbim dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale (IA) në vebdin tonë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pritet të marrë rolin e autoritetit koordinues për inteligjencën artificiale.
Sipas draftit, AKSHI do të jetë pjesë e grupit të autoriteteve kompetente së bashku me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, autoritetet e mbikëqyrjes së tregut dhe institucione të tjera që mund të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, projektligji përfshin dispozita që synojnë të mbështesin inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive të reja.
Ai parashikon krijimin e “sandbox-eve rregullatore për IA”, të cilat përkufizohen si mjedise të kontrolluara ku ofruesit mund të zhvillojnë, trajnojnë dhe testojnë sisteme inovative të inteligjencës artificiale nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë startup-et, drafti parashikon gjithashtu forma të thjeshtuara të dokumentacionit teknik për proceset e vlerësimit të konformitetit.
Në hyrje të projektligjit, qeveria thekson se ligji është “përafruar plotësisht” me Rregulloren (BE) 2024/1689 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, e njohur si AI Act.
Qëllimi i ligjit, sipas nenit 1, është të promovojë “zhvillimin, vendosjen në treg, vënien në shërbim dhe përdorimin e inteligjencës artificiale të përqendruar te njeriu dhe të besueshme”, duke garantuar një nivel të lartë mbrojtjeje për shëndetin, sigurinë, të drejtat themelore, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mjedisin.








