Përmirësohet gjendja e borxhit të jashtëm të Shqipërisë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë vlerësohet në nivelin 37.9% të PBB-së, në fund të vitit 2025. Ky raport është rreth 2.7 pikë përqindje më i ulët krahasuar me fundin e vitit 2024. “Rënia e tij pasqyron rritjen nominale të PBB-së dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut. Stoku i borxhit nominal është zgjeruar me 1.1%, i nxitur nga rritja e borxhit të sektorit privat”, vlerëson BSH.

Në ndarjen sipas maturitetit, borxhi afatgjatë përbën rreth 89.5% të totalit, ndërsa borxhi afatshkurtër rreth 10.5%. Borxhi i jashtëm neto në raport me PBB-në vlerësohet në -7.9%, me një pakësim prej 4.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Treguesit e aftësisë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm kanë vazhduar të përmirësohen edhe gjatë vitit 2025. Rritja e eksporteve dhe e të ardhurave fiskale kanë qenë faktori kryesor në këtë ecuri. Kështu, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në 90.8%, nga 97.2% në fund të vitit 2024.
Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u pakësua në 133.2% nga 142.4% një vit më parë. Raporti i stokut të borxhit të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale u ul në 59.0% nga 65.5% një vit më parë.
Edhe treguesit e mjaftueshmërisë së likuiditetit shfaqin tendenca përmirësuese. Në fund të vitit 2025, stoku i rezervës valutore ishte në rreth 446% të borxhit të jashtëm afatshkurtër, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.








