Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, ku u takua me akademikë, pedagogë e studentë, si dhe pa nga afër auditorët dhe laboratorët e informatikës dhe ato të Fakultetit të Shkencave Mjekësore.

Gjatë kësaj vizite, Kreu i Shtetit inkurajoi universitetet publike dhe private të vendit të përballen më sfidat e kohës, të përgatisin breza për një botë që ndryshon më shpejt se sa çdo program kurrikular.
“Sot kërkohet një universitet që prodhon dije, formon mendim kritik, aftësi për zgjidhjen e problemeve, kulturë digjitale dhe frymë sipërmarrëse”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Duke u ndalur në ndryshimet teknologjike, Presidenti Begaj theksoi se duhet përshtatshmëri pa humbur humanizmin dhe ajo që është e rëndësishme për brezin e ri, sipas Kreut të Shtetit, ka të bëjë me dallimin e informacionit nga dija.

“Sot tregu i punës nuk pyet më vetëm çfarë diplome ke, por edhe çfarë di të bësh dhe sa shpejt përshtatesh. A i të bashkëpunosh me inteligjencën artificiale, por pa humbur inteligjencën humane? Dhe në këtë aspekt, përgjegjësia me e madhe është e pedagogëve që, krahas përshtatshmërisë me inteligjencën artificiale, të ruajë dhe humanizmin”.
“Ju jeni brezi i parë në histori që do të punojë krahas inteligjencës artificiale jo si fantashkencë, por si një realitet i përditshëm. Teknologjia mund të automatizojë shumë procese, por nuk mund të zëvendësojë kuriozitetin, etikën, empatinë dhe guximin për të menduar ndryshe”.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e mendimit kritik nëpër auditore. “Shqipëria, – theksoi Presidenti Begaj, ka nevojë për universitete që prodhojnë jo vetëm profesionistë, por edhe njerëz që dinë të mendojnë lirshëm, të debatojnë me argumente dhe patjetër të mbajnë edhe përgjegjësi publike. Kjo është arsyeja pse sot universiteti nuk mund të jetë më një fabrikë prodhimi diplomash. Ai duhet të jetë një laborator idesh, një laborator inovacioni dhe një laborator vlerash qytetarie”.

Gjatë vizitës në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, Presidenti i Republikës vlerësoi risitë e këtij institucioni për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Ai përgëzoi stafin e UMSH-së për bibliotekën e pasur, laboratorët modernë në mjekësi, ku ndau me pedagogë dhe studentë pikëpamje për një eficencë të prekshme të rezultateve. Në këtë universitet Presidenti Begaj vlerësoi dhe ndërkombëtarizimin, si një proces përmes të cilit përgatiten profesionistë për një treg punë të gjerë, për Shqipërinë e sotme dhe nesër në Bashkimin Evropian.









