Buxheti i shtetit ka pasur një ecuri pozitive në tre muajt e parë të këtij viti, ku të ardhurat janë rritur ndjeshëm, si rezultat i luftës kundër informalitetit dhe mirëmenaxhimit fiskal. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një konference për mediat ka prezantuar performancën e treguesve ekonomikë për këtë periudhë, duke theksuar rritje të ndjeshme në deklarimet individuale dhe proceset e rimbursimit.
Ministri Malaj tha pas përfundimit të procesit të deklarimit më 31 Mars, janë plotësuar gjithsej 164,263 deklarata individuale të të ardhurave, një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Në kuadër të politikave mbështetëse sociale, rreth 77 mijë individë pritet të përfitojnë kompensim nga sistemi DIVA për fëmijët nën moshën 18 vjeç.
Ndërkohë, sistemi ka gjeneruar një fond total prej 1.4 mld lekësh për rimbursim për individët me tepricë kreditore. Megjithatë, deri tani janë kërkuar vetëm 670 mln lekë nga individët për t’u kaluar në llogaritë e tyre bankare”.
Malaj: Të ardhurat buxhetore arritën 205 mld lekë në 3-mujorin e parë, rritje me 13.3%
Ministri i Financave Petrit Malaj gjatë konferencës për shtyp ka paraqitur treguesit kryesorë ekonomikë për periudhën janar–mars 2026.
Për 3-mujorin e parë 2026 ministri Malaj tha se të ardhurat totale arritën në 205.1 mld lekë, duke realizuar 105.8% të planit dhe duke shënuar një rritje prej 13.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 250 mln euro më shumë.
Malaj nënvizoi se kjo rritje nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, por si pasojë e përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor.
“Peshën kryesore në arkëtime e mbajnë tatimet me 37.9%, ndjekur nga doganat me 29.8% dhe të ardhurat nga kontributet dhe sigurimet shoqërore me 22.3%. Administrata tatimore ka arkëtuar 71 mln euro më shumë krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2025, ndërsa administrata doganore ka sjellë rritje të të ardhurave me 83 mln lekë.
Të ardhurat nga kontributet vijojnë trend pozitiv, të mbështetura nga zgjerimi i bazës së kontribuuesve dhe rritja e pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Nga ana e shpenzimeve, buxheti për këtë periudhë arriti në 156 mld lekë, me një rritje prej 5.9% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, shpenzimet kapitale, që zënë 52.6% të totalit, paraqiten me ecuri më të dobët se plani”.
Ministri Malaj theksoi gjithashtu se ritmi i rritjes së bizneseve mbetet pozitiv.
“Aktualisht numri i bizneseve aktive ka arritur në 143,675, me një rritje prej 5%. Kjo tregon një zgjerim ekonomik të qëndrueshëm, i lidhur me formalizimin e ekonomisë dhe i mbështetur nga konsumi i brendshëm, si rezultat i rritjes së të ardhurave dhe punësimit. Sektorët kryesorë që mbështesin këtë rritje mbeten shërbimet dhe tregtia”.
Në lidhje me pagat, ministri Malaj bëri të ditur se ka rritje të ndjeshme të deklarimeve, me 25% për fashën 70–100 mijë lekë dhe me 26% për pagat mbi 100 mijë lekë. Sipas tij, kjo lidhet edhe me fushatat sensibilizuese në sektorë si turizmi dhe ndërtimi, të cilat kanë ndikuar në rritjen e formalizimit të pagave.







