Instituti i Statistikave ka ilustruar një situatë kontradiktore në sektorin privat. Të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve evidentojnë se numri i bizneseve aktive në 2024 u zgjerua me 2.2%, teksa numri i të punësuarve në total zbriti në 551.189 persona, duke shënuar një rënie prej 1.6% krahasuar me vitin paraprak 2023.
Kjo rënie ka qenë më e theksuar te prodhuesit e të mirave, sidomos sektori i industrisë ku numri i krahut të punës u reduktua me 2.8%, ndërsa prodhuesit e shërbimeve pësuan një tkurrje më të lehtë prej 0.9%.
Analiza sipas aktiviteteve ekonomike dëshmon se industria përpunuese dhe sektori i energjisë, gazit e ujit ishin kontribuuesit kryesorë në këtë trend negativ të punësimit.
Industria përpunuese, e cila mbetet një nga punëdhënësit më të mëdhenj me mbi 95 mijë të punësuar, me rënie -3% në krahasim me 2023. ndërsa numri i personave që punojnë në sektorin e energjisë dhe trajtimit të mbetjeve u reflektua ra me -1%.

Në krahun tjetër, megjithëse numri i të punësuarve ra, shitjet neto të ndërmarrjeve pësuan rritje prej 4,5% kjo e nxitur kryesisht nga sektori i tregtisë dhe ndërtimit.
Sektori i shërbimeve vazhdon të dominojë ekonominë shqiptare duke punësuar 65.6% të forcës totale të punës, ndonëse edhe brenda këtij grupi vihet re një riorganizim i burimeve njerëzore përballë sfidave të reja ekonomike.
Të dhënat tregojnë se ndërmarrjet po tentojnë të rrisin produktivitetin dhe xhiron e tyre me një numër më të kufizuar punonjësish, duke reflektuar mundësisht vështirësitë në gjetjen e krahut të punës ose automatizimin e proceseve në degë të caktuara të industrisë.
Numri i të punësuarve në sektorin e shërbimeve pësoi rënie vjetore me -1% në 2024, teksa vlera e shtuar u rrit me 7.9%.
Sektori i tregtisë vijon të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare, duke dominuar si në numrin e ndërmarrjeve, ashtu edhe në qarkullimin financiar. Me mbi 42 mijë ndërmarrje aktive, ky sektor përfaqëson 35,1% të totalit të bizneseve në vend dhe realizon pothuajse gjysmën e shitjeve neto të të gjithë ekonomisë, konkretisht 46,1%. Krahasuar me shërbimet e tjera, tregtia ka pasur ndikimin më të lartë pozitiv në rritjen e shitjeve neto me 2.7 pikë përqindje, duke lënë pas sektorët si ndërtimi apo akomodimi.
Në raport me forcën e punës, tregtia punëson 24.7% të të gjithë të punësuarve në shkallë vendi, një shifër kjo që tejkalon çdo nënndarje tjetër të shërbimeve apo industrisë.
Megjithatë, pesha e shërbimeve të tjera po ashtu mbetet e konsiderueshme, ku grupi i aktiviteteve që përfshin transportin, informacionin dhe komunikimin zë 9% të punësimit.
Ndërsa sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor kontribuon me 10.2%. Edhe pse prodhuesit e shërbimeve në tërësi pësuan një rënie të lehtë të punësimit prej 0.9%, ata arritën të shënojnë rritjen më të lartë të shitjeve neto me 5.8%, duke dëshmuar një efikasitet më të lartë ekonomik krahasuar me prodhuesit e të mirave.









