Vitet e fundit, vendosja e fokusit tek investimet në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli ka dhënë rezultat. Instituti i Statistikave konstaton se energjia e prodhuar nga fotovoltaikët zë aktualisht 13.2% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
“Të tjerë prodhues (energji të rinovueshme të tjera) prodhuan 984 GWh, nga 507 GWh në vitin 2024, duke regjistruar një rritje prej 94.3%”, thekson INSTAT.
Një tjetër element që INSTAT vë në dukje është rritja e peshës që zënë impiantet privatë të prodhimit tek nivelin total i energjisë në vend.
“Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.468 GWh, nga 7.837 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej 4.7 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 45.2%, nga prodhuesit privatë dhe koncesionarë në masën 41,6% dhe nga të tjerë prodhues (energji të rinovueshme të tjera) në masën 13.2% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike”, vlerëson Instituti i Statistikave.
Të dhënat e detajuara tregojnë se gjatë vititi 2025, importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 3.375 GWh, nga 2.669 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 26,5%. Ndërkohë, eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 2.498 GWh, nga 2.335 GWh në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 7.0%.









