Rënia e fortë e euros do të detyrojë Bankën e Shqipërisë të rrisë sasinë e valutës që do të tërheqë nga tregu i këmbimit, në përpjekje për të ekuilibruar deri diku kursin. Institucioni mbikëqyrës bankar parashikon që gjatë vitit të ardhshëm, të bëjë blerje te planifikuara të valutës në tregun e brendshëm përmes ankandeve me vlerë 330 – 450 milionë euro. Kjo me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.
Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë së paku 330 milionë euro nga tregu valutor vitin e ardhshëm. Në bazë të sasisë së monedhës europiane që do të futet në vend, blerjet mund të rriten deri në 450 milionë euro. Ky është niveli më i lartë ndonjëherë i planifikimeve që Banka Qendrore bën për të ndërhyrë në tregun valutor.
Sipas kalendarit të Bankës Qendrore, ndërhyrjet në tregun valutor pritet të nisin në 19 shkurt për të vijuar në 13 dhe 24 mars. Blerjet planifikohet të përshpejtohen me 9 ankande vetëm në muajt qershor, korrik dhe gusht. Me ardhjen e vjeshtës , Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 4 dhe 18 dhjetor 2026.
Sipas informacionit të publikuar deri në shtator Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 800 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Në pjesën më të madhe, bëhet fjalë për blerje jashtë kalendarit të ankandeve, të kryera me operacione të drejtpërdrejta, me qëllim për të shmangur forcimin e mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit valutor.







