Revista “Time” emëroi arkitektët e inteligjencës artificiale si “Personin e Vitit”, duke përmendur aftësinë e tyre për të sjellë epokën e makinave menduese me teknologji transformuese.
“Personi i Vitit është një mënyrë e fuqishme për të përqendruar vëmendjen e botës tek njerëzit që formësojnë jetët tona. Dhe këtë vit, askush nuk ka pasur ndikim më të madh se individët që imagjinuan, projektuan dhe ndërtuan inteligjencën artificiale,” shkroi Kryeredaktori i “Time”, Sam Jacobs, në një letër për lexuesit.
Jacobs i përshkroi arkitektët si persona “që befasojnë dhe shqetësojnë njerëzimin”. Sipas tij, ata po “transformojnë të tashmen dhe tejkalojnë të mundshmen.”
Revista përmban një artikull kryesor që eksploron se si inteligjenca artificiale ndryshoi botën gjatë vitit në mënyra të reja dhe “ndonjëherë të frikshme”. Në të përfshihen intervista me Drejtorin Ekzekutiv të Nvidia-s, Jensen Huang, i cili prodhon çipet që fuqizojnë teknologjinë e re, dhe me investitorë si Drejtori i SoftBank, Masayoshi Son.
Artikulli trajton edhe aspekte shqetësuese të inteligjencës artificiale, siç është rasti i një 16-vjeçari nga Kalifornia që kreu vetëvrasje. Pas ngjarjes, prindërit e tij paditën OpenAI, kompaninë krijuese të ChatGPT, duke e fajësuar për vdekjen e djalit për shkak të bisedave që ai kishte pasur me chatbot-in.
Time është një nga shumë media që bashkëpunojnë me kompanitë e teknologjisë për të licensuar përmbajtje dhe zhvilluar mjete të reja. Në qershor 2024, revista nënshkroi një marrëveshje shumëvjeçare me OpenAI, që i jepte kompanisë qasje në arkivat e lajmeve.
Prestigjozja Time ka emëruar më parë Donald Trump si “Person i Vitit” në 2024 dhe 2016. Fitues të tjerë të mëparshëm përfshijnë këngëtaren Taylor Swift, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe Drejtorin Ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk.






