Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka njoftuar sot identifikimin e një rasti mashtrimi digjital përmes një platforme të vetëquajtur TXEX, e cila pretendohet të jetë një aplikacion për investime në kriptovaluta.
Sipas AKSK, kjo platformë nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar për të operuar në territorin e Shqipërisë, duke e vendosur aktivitetin e saj jashtë çdo kuadri ligjor.
Mënyrat e funksionimit të mashtrimit
Platforma TXEX përdor:
• Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
• Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp, Signal;
• Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
• Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
• Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.
AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:
• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.
Qytetarët duhet të kenë parasysh se:
1. Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2. Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3. Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.
Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:
• Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
• Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
• Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.