Nëse Bill Gates nuk do kishte dhuruar asnjë qindarkë dhe nuk do kishte shitur asnjë aksion të Microsoft-it, sot do të ishte shumë përtej Elon Musk, ndoshta trilioneri i parë në histori.
Miliarderi dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it konfirmoi sërish këtë të enjte se do të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë së mbetur dhe do të mbyllë përfundimisht fondacionin bamirës që themeloi me ish-bashkëshorten Melinda French Gates deri në vitin 2045. Që prej krijimit të Fondacionit Gates në vitin 2000, çifti ka kontribuar plot 60.2 miliardë dollarë për kauza sociale, duke u renditur si filantropët e dytë më të mëdhenj në SHBA, menjëherë pas Warren Buffett.
Por… çfarë do kishte ndodhur nëse nuk do ishin kthyer kurrë drejt filantropisë dhe do kishin mbajtur çdo aksion të Microsoft-it?
Sipas përllogaritjeve të Forbes, Bill dhe Melinda do të kishin sot një pasuri të përbashkët prej 1.5 trilionë dollarësh. Vetëm Bill Gates do të vlente 1.2 trilionë dollarë, duke lënë shumë pas Elon Musk, aktualisht njeriu më i pasur në botë me 388 miliardë dollarë (me kulmin prej 464 miliardë në dhjetor). Ndërkohë Melinda do të kishte rreth 300 miliardë dollarë, duke u renditur e treta më e pasur në botë, pas Gates dhe Musk.
Në vitin 1986, kur Microsoft doli në bursë, Bill zotëronte 49% të kompanisë, rreth 11.2 milionë aksione, me një vlerë fillestare rreth 200 milionë dollarë. Nëse do i kishte mbajtur të gjitha, pas ndarjes së aksioneve ndër vite, ai dhe Melinda do të zotëronin sot 3.2 miliardë aksione, ose 43% të Microsoft-it, të vlefshme rreth 1.4 trilionë dollarë. Për më tepër, do kishin përfituar edhe rreth 100 miliardë dollarë dividentë neto, një shumë më e madhe se pasuria e mbi 98% të miliarderëve në botë.
Në realitet, Bill i ka shitur dhe dhuruar shumicën e aksioneve ndër vite. Sot ai zotëron vetëm 0.9% të Microsoft-it, me vlerë rreth 28 miliardë dollarë, vetëm një e katërta e pasurisë së tij totale. Investimet e tij janë të shpërndara përmes fondit Cascade Investments, në kompani si Republic Services, Deere & Co dhe Four Seasons Hotels. Melinda ka rreth 380,000 aksione të Microsoft-it, me vlerë rreth 170 milionë dollarë, më pak se 1% e pasurisë së saj.
Por bota nuk do ishte njësoj nëse ata do kishin mbajtur gjithçka për vete.
Përmes Fondacionit Gates, i cili u ribrandua pasi Melinda u largua si bashkëkryetare në qershor 2024, çifti ka dhuruar deri më sot 47.7 miliardë dollarë për kauza që lidhen me shëndetësinë dhe luftën kundër varfërisë. Vetëm Warren Buffett ka dhuruar më shumë, rreth 62 miliardë dollarë, shumica përmes vetë Fondacionit Gates.
Melinda, nga ana tjetër, po ndërton një rrugë të re në filantropi. Në vitin 2022 ajo krijoi Pivotal Philanthropies, ku investoi 674 milionë dollarë. Në qershor të vitit të kaluar, pas angazhimit për të dhuruar 1 miliard dollarë për të drejtat e grave dhe vajzave, ajo shpalli edhe një financim të ri prej 12.5 miliardë dollarësh për kauza të ngjashme, si pjesë e vendimit për t’u larguar nga Fondacioni Gates.
Të dy, Bill dhe Melinda, janë ndër themeluesit e Giving Pledge, një nismë që u kërkon miliarderëve të dhurojnë të paktën gjysmën e pasurisë së tyre gjatë jetës apo në testamentin e tyre.
“Prindërit e mi më mësuan çfarë do të thotë bujari përmes mënyrës si përdornin kohën dhe burimet e tyre,” shkroi Bill në letrën e tij për Giving Pledge. “Kur erdhi momenti për të vendosur ç’të bëja me pasurinë nga Microsoft, e dija se duhet të ndjekja shembullin e tyre.”
Melinda shtoi: “E pranoj absurditetin e faktit që një person i vetëm të ketë një pasuri kaq të madhe. E vetmja gjë e përgjegjshme që mund të bësh me një pasuri të tillë, është ta dhurosh, me mendje dhe me ndikim.”
Nëse Bill Gates do të kishte ndjekur vetëm rrugën e biznesit dhe fitimit, sot do të ishte ndoshta njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë. Por ai zgjodhi të jetë njeriu që dha më shumë se kushdo tjetër. Dhe kjo, ndoshta, është pasuria më e madhe që do të mbetet në histori./ Forbes