Në vitin 1977, dy miq nga Vermonti, Ben Cohen dhe Jerry Greenfield, vendosën të bëheshin sipërmarrës, ndonëse askush nuk do t’i kishte menduar si të tillë.
Ben kishte lënë shkollën, ndërsa Jerry kishte dështuar dy herë për të hyrë në fakultetin e mjekësisë. Të dy pa eksperiencë në biznes apo gastronomi, por me një dëshirë të përbashkët, të punonin për veten dhe të bënin akullore.
Ata gjetën një kurs korrespondence për akullore me vetëm 5 dollarë, e ndoqën dhe më pas mblodhën rreth 12,000 dollarë, shumica nga miqtë dhe familjarët, për të hapur një dyqan të vogël në një stacion benzine të vjetër në Burlington, Vermont.
Nga e ftohta në sukses
Fillimi ishte i vështirë, sidomos në një shtet ku dimrat janë të ashpër dhe akullorja nuk është produkt sezonal. Por ata nuk u dorëzuan. Dëgjuan klientët, eksperimentuan dhe kërkuan të kuptonin çfarë i pëlqente publikut.
Pikërisht atëherë ndodhi “magjia”. Ben vuante nga anosmia, një çrregullim që e pengonte të ndiente aromat dhe shijet si shumica. Për të, përvoja e ngrënies së akullores vinte nga tekstura, prandaj filloi të hidhte copa të mëdha çokollate, biskotash apo kremi në çdo shije.
Ajo që nisi si një zgjidhje personale, u kthye në elementin unik që i diferencoi në treg: akulloret “chunky”, plot surpriza në çdo lugë.
Markë me personalitet
Ben & Jerry nuk ndërtuan vetëm një produkt të ndryshëm. Ata krijuan një markë me personalitet, plot ngjyra, humor, mesazhe sociale dhe shije të guximshme. U përfshinë në aktivizëm, mbështetën kauza progresive dhe vendosën vlerat njerëzore në zemër të biznesit.
Në vitin 2000, pas më shumë se dy dekadash inovacion dhe sukses, kompania u ble nga Unilever për 326 milionë dollarë, por edhe pas shitjes, marka vazhdoi të ruajë frymën e saj autentike dhe aktiviste.
Mësimi për sipërmarrësit
Historia e Ben & Jerry’s është dëshmi se ideja më e thjeshtë, e kombinuar me pasion dhe guxim për të qenë ndryshe, mund të ndërtojë një perandori. Nuk ka rëndësi nëse dështimet janë pjesë e rrugës, rëndësi ka të fillosh, edhe me një kurs 5 dollarësh./ Notes to an entrepreneur