Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat lidhur me numrin e nxënësve dhe studentëve të diplomuar në vitin shkollor 2023-2024 në vend. Rezultojnë se në këtë periudhë janë diplomuar në arsimin zyrtar 82.712 nxënës dhe studentë, nga të cilët: 33.5 % në arsimin 9 vjeçar; 32.3 % në arsimin e mesëm të lartë; 0.1 % në arsimin pas të mesëm jo të lartë dhe 34.1 % në arsimin e lartë.
Arsimi parauniversitar
Në vitin shkollor 2023-2024 në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 27.705 nxënës, nga të cilët 51,4 % ishin meshkuj dhe 48,6 % femra. Në arsimin e mesëm të lartë u diplomuan 26.729 nxënës, ku, 3.174 nxënës ishin të diplomuar në arsimin e mesëm profesional, me dominancë meshkuj me 82,7 %.
Të diplomuarit e arsimit të mesëm të lartë profesional përbëjnë 11,9 % të të diplomuarve gjithsej në arsimin e mesëm të lartë. Në arsimin pas të mesëm jo të lartë u diplomuan 85 persona, prej të cilëve 24,7 % femra dhe 75,3 % meshkuj. Fushat në të cilat u diplomuan janë: “Ndërmjetësim i pasurive të paluajtshme”, “Diagnostikim-menaxhim në autoservis” dhe “Dizajn dhe Modë”.
Arsimi i lartë
Në vitin akademik 2023-2024, u diplomuan në arsimin e lartë 28.193 studentë. Studentët e diplomuar në programet “Bachelor” përbëjnë 51,3 % e studentëve të diplomuar gjithsej, ndjekur nga programet “Master” me 43,1 %. Në të gjithë programet e arsimit të lartë, në këtë vit akademik, u diplomuan 18.555 studente femra, ose 65,8 % e numrit të përgjithshëm të studentëve të diplomuar në arsimin e lartë.
Fusha në të cilën janë diplomuar më shumë studentë në të gjitha programet është “Biznes, administrim dhe ligj” prej 24,4 % ose rreth një e katërta e numrit të përgjithshëm të të diplomuarve.
Analiza për secilën fushë të studimeve tregon se femrat në krahasim me meshkujt janë diplomuar më shumë në “Shkenca sociale, gazetari dhe informacion” (83,0 %), ndjekur nga “Shkenca arsimi” (81,7 %) dhe “Shëndet dhe mirëqenie” (78,9 %).
Fushat në të cilat janë diplomuar më shumë meshkujt krahasimisht me femrat janë “Shërbime” (67,3 %), “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” (63,1 %) dhe “Teknologji e informacionit dhe komunikimit” me (56,2 %).