Disa fëmijë ndërtojnë kulla me lego. Disa të tjerë ndërtojnë sisteme me kode. Një 14-vjeçar, Kaon Krasniqi është nga ata që kur pyetet “çfarë do të bëhesh kur të rritesh?”, përgjigjet me projekte që tashmë po rriten bashkë me të.
Ai nuk po luan me teknologjinë, po e përdor si mjet për të hapur dyer të reja dijesh për të tjerët. Në vend që të imitojë botën, ai po e rikonfiguron atë. Me përulësinë e dikujt që ka shumë për të mësuar, por edhe me vendosmërinë e dikujt që di saktësisht ku do të arrijë. Në një bisedë për Business Magazine, Kaoni ndau shumë nga ëndrra dhe realiteti i tij.
Kaon, kur shumica e bashkëmoshatarëve të tu merren me lojëra kompjuterike, ti ndërton platforma që përdorin inteligjencë artificiale. Çfarë të shtyn çdo ditë të zgjedhësh këtërrugë, e jo ndonjë tjetër më “të zakonshme”?
Ajo që më shtyn është dëshira për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarët dhe të gjithë njerëzit anembanë, përmes produkteve të mia. Mendoj se lojërat kompjuterike nuk sjellin asnjë vlerë të vërtetë në shoqëri.
A ka pasur ndonjë moment që ke hasur vështirësi dhe ke menduar të heqësh dorë nga ndonjë projekt teknologjik?
Besoj se kur një punë bëhet me dëshirë, edhe sfidat përballohen më lehtë. Ka pasur momente të vështira, por ato më kanë forcuar, jo më kanë ndalur.
Projekti yt më i fundit që lançohet në qershor tingëllon revolucionar. A mund të na rrëfesh një detaj ‘sekret’ ose ide që mendon se do të surprizojë përdoruesit?
Ky projekt u mundëson të gjithë njerëzve me njohuri të ndryshme të mësojnë inteligjencën artificiale. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë shqiptarët dhe njerëzit anembanë të jenë pjesë e zhvillimit të AI-së globale.
Në çfarë mënyre mendon se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë konkretisht shkollat dhe mësuesit në Kosovë dhe më gjerë? Nëse do të kishe një minutë me Ministrin e Arsimit, çfarë do t’i propozoje?
Po të kisha një minutë me Ministrin e Arsimit, do t’i propozoja të krijonte një plan për të integruar inteligjencën artificiale në arsim, përmes tutorëve të personalizuar që përdoren për një periudhë të caktuar kohore çdo ditë.
A ndihesh ndonjëherë i nënvlerësuar për shkak të moshës?
Mosha nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është dija dhe përkushtimi. Mendoj se ne, si fëmijë, duhet të mbështetemi nga të rriturit dhe të mos nënvlerësohemi.
Çfarë mjetesh ose programesh përdor zakonisht për të ndërtuar projektet e tua? A është e vështirë për një 14-vjeçar të mësojë t’i përdorë këto?
Përdor një sërë gjuhësh programuese, por jam më shumë i fokusuar në Python. Nuk është e lehtë, por me pasion dhe praktikë çdo ditë, gjithçka mësohet. Sa i përket vështirësive, ato vetëm më bëjnë më të fortë.
Kush ka qenë personi ose momenti që të ka dhënë më shumë besim për të vazhduar këtë rrugë? A ka ndonjë figurë që e konsideron si“mentorin” tënd?
Mbështetjen më të madhe ma kanë dhënë nëna, babai, motra dhe, pa dyshim, mentori im Drilon Jaha.
Çfarë bën ndryshe nga të tjerët kur të vjen një ide? E vizaton, e shkruan diku, apo nis direkt kodimin? Si funksionon mendja jote kreative?
Të gjitha projektet e mia janë të fokusuara për të zgjidhur problemet e njerëzve. Kur më vjen një ide, fillimisht e analizoj dhe e shkruaj, më pas nis menjëherë kodimin. Kështu funksionon mendja ime kreative.
Ëndrra jote është të krijosh një kompani që sjell vlera në Kosovë. Si e përfytyron zyrën tënde të parë? Cili është personi i parë që do të doje në ekipin tënd dhe pse?
Ëndrra ime është të krijoj një kompani që ka për mision të ndihmojë të gjithë shqiptarët dhe të gjithë njerëzit anembanë. Personi i parë që do të doja në ekipin tim do të ishte dikush me pasion dhe përkushtim të madh, sepse kjo është baza për të ndërtuar diçka me vlerë.
Kaon flet për kodin me gjuhën e dikujt që po shkruan një letër për të ardhmen. E bën me zë të butë, por me ide që godasin fort. Ndërsa shumë presin që koha t’i pjekë, ai e ka kthyer kohën në aleaten e tij më të mire, punon me të, jo kundër saj. Dhe ndoshta kjo është gjëja më e pazakontë tek ai, nuk pret leje për të ndërtuar të ardhmen. E fillon që tani, me gjithçka që ka, njohuri, pasion dhe një ide që nuk pranon të rrijë në vend./Business Mag