Sporti i grave është duke përjetuar momentin e tij historik. Në vitin 2024, të ardhurat globale nga sporti i femrave tejkaluan për herë të parë shifrën 1 miliard dollarë. Lojtaret po performojnë në nivele rekord, audienca po rritet dhe markat më të mëdha në botë po e kuptojnë, më në fund se investimi në sportin e grave është jo vetëm i drejtë, por edhe i zgjuar.
Në Olimpiadën e Parisit 2024 u shënua barazia gjinore mes atletëve, për herë të parë në histori. WNBA theu rekorde audiencash dhe platformat mediatike po i kushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirë kampionateve të grave. Por për ta kthyer këtë moment në një lëvizje afatgjatë, nevojitet diçka më shumë, investim i qëndrueshëm dhe strategjik nga bizneset.
Këtu janë 3 arsye madhore pse tani është koha për të investuar:
Është mirë për barazinë, por edhe më mirë për biznesin
Dikur, mungesa e interesit të perceptuar bënte që sporti i grave të mbetej në hije. Sot, të dhënat tregojnë të kundërtën. Të ardhurat janë rritur me 300% në vetëm tre vite, dhe 99% e drejtuesve të markave kanë rritur investimet në sportin e grave, sipas një sondazhi të Deloitte.
Çfarë e bën këtë audiencë kaq të fuqishme? Gratë konsumojnë ndryshe. Ato blejnë më shumë produkte sportive, angazhohen më shumë në rrjete sociale dhe e shpërndajnë pasionin e tyre me entuziazëm viral. Ky lloj fandom-i nuk është vetëm i dukshëm, por edhe shumë fitimprurës për sponsorizuesit që mbështesin sportin e grave.
Investimi në sportin e grave ndryshon jetë dhe krijon lidere
Përtej fitimeve, investimi në sportin e grave ka një ndikim shoqëror thelbësor. Ai nxit barazinë në pagesë, rrit dukshmërinë e modeleve femërore pozitive, dhe inkurajon vajzat të mos heqin dorë nga sporti.
Statistikat janë domethënëse:
85% e grave që kanë praktikuar sport thonë se aftësitë e fituara kanë ndihmuar në suksesin e tyre profesional.
Tek gratë në role drejtuese, ky numër ngjitet në 91%, dhe tek ato me të ardhura mbi $100,000 – në 93%.
Me pak fjalë, vajzat që luajnë sport, bëhen gratë që udhëheqin.
Ajo që quhet ‘rrezik’ është shpesh mundësia më e mirë
Disa kompani ngurrojnë të investojnë për shkak të mungesës së të dhënave të krahasueshme me sportin e burrave. Por kjo është pikërisht arsyeja pse duhet menduar si një kapitalist sipërmarrës: kërko të dhënat që ke, analizoi mirë audiencat dhe vepro.
A përputhet audienca jote me tifozët e sportit të grave?
A mund të matësh ndikimin në mënyra të reja, si përfshirja në rrjete sociale, imazhi i markës apo motivimi i punonjësve?
A përshtatet kjo nismë me vlerat e kompanisë sate?
Të gjitha këto janë pyetje që çdo investim inteligjent duhet të bëjë.
Nëse do të ishe ndër të parët që investuan në basketbollin e grave në vitin 2010, ku do të ishe sot?
Kjo është pyetja që shumë marka po i bëjnë vetes sot. Dhe ndërsa interesimi, të ardhurat dhe ndikimi i sportit të grave rriten me ritme të paprecedenta, përgjigjja bëhet e qartë, koha për të hyrë në lojë është tani.
Deloitte, së bashku me gjigandët AT&T, Capital One dhe Cisco, janë tashmë pjesë e nismës Athena Pledge, një angazhim për të fuqizuar investimet, kërkimin dhe mundësitë në industrinë e sportit të grave.
Sepse në fund të ditës, kjo nuk është vetëm një betejë për barazi. Është një mundësi për rritje, ndikim dhe transformim, për gratë, për sportin dhe për vetë botën e biznesit./ Forbes