Blerja e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit pritet të kushtojë të paktën 27 milionë euro. Operatori i Blerjeve të Përqendruar njoftoi këtë të hënë çeljen e procedurës respektive ku fondi limit është në total 2.7 miliardë lekë nga ku peshën më të madhe prej 1.9 miliardë e zënë uniformat kurse pjesën tjetër këpucët.
Nga uniformat e këpucët te pulovrat me “grykë v” dhe këmishat ngjyrë bojë-qielli, bashkë me pelerinat e shiut apo rripat e pantallonave… Policia e Shtetit kërkon të blejë veshje për punonjësit e saj. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin me vlerë 2.7 miliardë lekë apo 27 milionë euro për blerjen e tyre.
“Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që furnizimi me uniforma i punonjësve të policisë të bëhet sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti.”
Lidhur me garancitë autoriteti kontraktor nënvizon se lëvrimi i mallit duhet të shoqërohet me deklaratën përkatëse.
“Meqenëse kemi të bëjmë me artikuj për uniforma dhe këpucë për punonjësit e Policisë e Shtetit, cilësia e zgjedhjes së operatorëve ekonomik fitues duhet të jetë maksimale, bazuar në kapacitet ligjore, teknike, profesionale dhe financiare të tyre, pasi vetëm operatorët ekonomikë që plotësojnë kriteret e kualifikimit si më sipër, mund të marrin pjesë, duke siguruar që ofertat të jenë nga kompani të kualifikuara, serioze, të besueshme dhe me përvojën e duhur me qëllim realizimin me sukses të marrëveshjes kuadër që do të lidhet.”
Operatori ekonomik fitues, para fillimit të prodhimit, të paraqesë nga dy modele fizike të çdo artikulli të cilët duhet të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat e paraqitura.
“Për mallrat e prodhuara jashtë vendit të Blerësit, Furnizuesi do të jetë plotësisht përgjegjës për të gjitha tatimet dhe taksat, taksat e pullës, tarifat e licencës dhe detyrime të tjera të tilla të vendosura jashtë vendit të blerësit.”
Fondi limit për blerjen e veshjeve për Policinë e Shtetit është në total 2.7 miliardë lekë nga ku peshën më të madhe prej 1.9 miliardë e zënë uniformat kurse pjesën tjetër këpucët.