Kompanitë që vendosin të shpërndajnë dividendin deri më 31 dhjetor 2026 do të përfitojnë tatimin në masën 8%, ndërsa nga 1 janari 2027 norma do të rritet në 15%. Ndryshimi do të aplikohet edhe për fitimet e akumuluara në vite të mëparshme, nëse vendimi për shpërndarjen e tyre merret pas hyrjes në fuqi të normës së re. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka sqaruar se përcaktues për nivelin e tatimit do të jetë data e vendimit për shpërndarjen e dividendit dhe jo periudha kur është krijuar fitimi.
“Çdo vendim që merret deri më 31 dhjetor 2026 do të tatohet me 8%. Çdo vendim për dividendin që merret nga 1 janari 2027 do të tatohet me 15%. Fitimet e trashëguara deri në 31 dhjetor 2026, nëse do të marrin vendimin për t’i shpërndarë si dividend, do të paguajnë 8%. Nga 1 janari 2027 e në vazhdim, çdo vendim dividendi që merret për t’u shpërndarë, edhe nëse i takon viteve të mëparshme, do të tatohet me 15%”, deklaroi Malaj.
Ministri bëri të ditur se qeveria pret që gjatë vitit 2026 kompanitë të përshpejtojnë shpërndarjen e fitimeve, për të përfituar nga norma aktuale e tatimit. Sipas Malajt, rritja e tatimit mbi dividendin nuk pritet të ndikojë negativisht në investimet e kompanive, pasi këto të fundit kryhen përpara shpërndarjes së fitimit.
“Rritja e dividendit nuk pengon fitimet. Investimet bëhen përpara shpërndarjes së fitimit. Dividendi që merr në fund ortaku është si çdo e ardhur tjetër. Kjo është drejtësi fiskale. Presim më shumë subjekte që të shpërndajnë dividendin”, u shpreh ministri.
Gjatë diskutimeve me deputetët, Malaj u pyet edhe për masat që mund të ndërmarrë qeveria për sektorët që po përballen me pasojat e zhvlerësimit të euros. Ministri theksoi se qeveria nuk parashikon ndërhyrje në këtë drejtim, duke argumentuar se sipërmarrjet duhet të përshtatin modelin e tyre të biznesit me kushtet e reja të tregut.







