Gratë që angazhohen në politikë shpesh përballen me një garë të pabarabartë, ku mungesa e aksesit në financa është një pengesë kryesore. Ky problem është i dukshëm në fondet e dhëna nga buxheti, ku përveç Partisë së Lirisë, e cila ka përcaktuar në statut që të paktën 50% e financimeve të shkojnë për Forumin e Gruas, asnjë parti tjetër nuk ka përcaktuar një element të tillë që do të zvogëlonte pabarazitë gjinore dhe do të bënte garën politike më të barabartë. Kjo e bën konkurrencën politike të pandershme dhe jo fort të sigurtë për gratë.
Një situatë e tillë reflektohet edhe në media, ku raportimet për zgjedhjet kanë tendencën të fokusohen më shumë në burimet e financimit dhe transparencën e përdorimit të fondeve nga partitë, por pa i dhënë vëmendje të mjaftueshme financimit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre politike. Ky hendek është pjesërisht shkak i mungesës së një formulimi të qartë në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin Elektoral për shpërndarjen e fondeve brenda partive me një fokus gjinor.
Për të adresuar këtë problem dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e barazisë gjinore në financat politike, rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”, me mbështetje nga Instituti Kombëtar për Demokraci (NDI) dhe Ambasada Britanike në Tiranë, organizoi trajnimin për gazetarët “Barazia Gjinore dhe Aksesi në Financat Politike”. Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e integritetit zgjedhor dhe qendrueshmërisë së partive politike, duke u fokusuar në barrierat ligjore dhe strukturore që pengojnë pjesëmarrjen e grave në politikë.
Iniciativa përfshiu disa aktivitete kyçe:
- Ngritja e Kapaciteteve: Një trajnim dy ditor për 15 gazetarë, që synonte t’i pajiste ata me njohuri dhe aftësi për të raportuar mbi ndikimin e financimit politik dhe faktorëve gjinorë. Trajnimi mbuloi barrierat ligjore që pengojnë përfshirjen e grave në politikë dhe mundësoi hapsirën për krijimin e artikujve që trajtojnë këtë tematikë.
- Mentorimi: Gazetarët do të marrin mentorim individual për të zhvilluar artikuj që trajtojnë sfidat e financimit politik dhe rolin e grave në politikë, duke informuar dhe ndërgjegjësuar lexuesit.
- Mbulimi Mediatik: Si pjesë e nismës, çdo gazetar u angazhua të shkruante dhe të publikoj një artikull mbi temën, duke kontribuar në një debat më të hapur dhe më të thelluar mbi financimin politik dhe përfaqësimin gjinor.
Kjo iniciativë, e fokusuar në sektorin mediatik në Shqipëri, synon të adresojë barrierat gjinore që ekzistojnë në financimin politik, duke i dhënë mundësi grave dhe vajzave të kenë më shumë akses dhe në arenën politike. Projekti synon të ndikoj në krijimin e një sistemi politik më përfaqësues dhe demokratik, duke fuqizuar gratë dhe duke nxitur një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.