Shqipëria importon vegla dhe pajisje pune nga 64 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë disa prej ekonomive më të mëdha globale. Të dhënat tregojnë një diversitet të lartë të vendeve nga të cilat importohen këto produkte, por disa shtete shfaqen si furnizuesit kryesorë me vlera të larta të importit.
Jo vetëm për Shqipërinë, por për shumë vende të botës, Kina është eksportuesi më i madh i veglave të punës dhe pajisjeve industriale. Falë kapacitetit të saj masiv prodhues dhe çmimeve konkurruese, ajo përfaqëson burimin kryesor të furnizimit global. Kina është e ndjekur nga shtete si Gjermania, Japonia dhe SHBA, që janë të njohura për teknologji dhe produkte të cilësisë së lartë.
Edhe të dhënat zyrtare konfirmojnë se Kina është eksportuesi më i madh për veglat e punës në Shqipëri. Në vitin 2024, vendi ynë importoi nga Kina vegla pune, vlera e të cilave arriti në mbi 710 milionë lekë. Italia, si një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Shqipërisë, zë vendin e dytë, me rreth 363 milionë lekë importe për këë kapitull për vitin 2024.
Gjermania dhe Turqia pasojnë në listë, duke kontribuar me shifra të konsiderueshme, përkatësisht 132 milionë lekë dhe 89 milionë lekë për vitin 2024. Po ashtu, Nga Vietnami dhe Austria blemë 123 milionë dhe 87 milionë lekë vegla pune respektivisht.
Shqipëria duke u lidhur me shumë tregje ndërkombëtare, ka mundësi të ofrojë furnizim të qëndrueshëm për vegla pune si dhe fleksibilitet për të plotësuar kërkesat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
Nga ana tjetër gjatë vitit 2024, veglat e punës të prodhuara në Shqipëri u kërkuan nga vende si Kosova, Rumania, Çekia, Kroacia etj. Por tregu i importit është shumë herë më i zhvilluar se ai i eksportit./Tv Scan
VLERA E IMPORTEVE TË VEGLAVE TË PUNËS
(në milionë lekë)