Më datë 18 nëntor nis Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes. Deri më 25 nëntor, në kuadër të kësaj ngjarje të rëndësishme për biznesin do të zhvillohen një sërë aktivitetesh të rëndësishme, ku do të mblidhen së bashku novatorë, sipërmarrës dhe biznese nga shumë vende të botës.
Nën kujdesin e posaçëm të Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj së bashku me Agjencinë Shtetërore të Start Up-eve , do të organizohen mbi 50 evente në Tiranë, me mbështetjen e 35 partnerëve nga sektori publik dhe privat, bota akademike dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vend.
Java Ndërkombëtare e Sipërmarrjes 2024 do të ketë në fokus rritjen e ndërveprimit midis të gjithë aktorëve, rrjetëzimin, diversifikimin e financimeve alternative, fuqizimin e ekosistemit mbështetës, por mbi të gjitha transformimin e kulturës së të bërit biznes me qasje ndaj risive globale dhe krijimit të vlerës së shtuar për ekonominë.
Kjo ngjarje e rëndësishme do të sjellë së bashku themelues biznesesh, investitorë, ekspertë dhe entuziastë të sipërmarrjes nga e gjithë bota, duke ofruar mundësi për rrjetëzim, mësim dhe bashkëpunim për zhvillimin e ideve dhe projekteve të reja.
Gjatë javës, qytetarët dhe profesionistët shqiptarë do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një seri aktivitetesh, duke përfshirë seminare, trajnimet, panele diskutimi dhe sesione mentorimi që do të mbahen në disa nga lokacionet më të rëndësishme të Tiranës.