Shtohet ndjeshëm numri i aksidenteve rrugorë dhe të plagosurve. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në qershor, periudhë që nis edhe fluksi i turistëve, numri i aksidenteve arriti në 141 nga 101 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 40%.
Në rritje të ndjeshme ishte dhe numri i të aksidentuarve. INSTAT referoi se kishte gjithsej 195 të dëmtuar në qershor (të vrarë dhe të plagosur), nga 132 në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me rritje prej 48%.
Për 6 muajt e parë të vitit, në vend ndodhën 767 aksidente, me një rritje prej 46.3% në krahasim me janar-qershor të një viti më parë. Në të njëjtën linjë janë rritur dhe të dëmtuarit.
Janë mbi një mijë persona që kanë pësuar një dëmtim nga aksidentet rugore në 6 muajt e parë të vitit, ose rreth 45% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT bën të ditur se aksidentet rrugore, në 92.9 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 0-24 vjeç dhe 60+ vjeç, duke zënë secila nga 21,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej.
Në muajin Qershor 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së premte me 17.7 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Mërkurë, me 9.2 %.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 18.4 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.