Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka hapur hetimin paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në pesë qarqe të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit, Komisioni i Konkurrencës, pranoi propozimin e sekretariatit për hapjen e hetimit paraprak në këtë treg për qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Vendimi erdhi pas përfundimit të procedurës së monitorimit në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta perimeve.
Nga monitorimi rezultoi se, duke iu referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese, si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me një vendim të datës 14.06.2024, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve.
Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024.