Nga Uzina e Nitratit të Amonit në Fier te Kombinati Metalurgjik në Elbasan… mbi 400 vepra industriale u ndërtuan në Shqipëri me kreditë dhe investimet e Kinës gjatë regjimit komunist. Dy shtete në dy kontinente të ndryshme… gjeografikisht larg dhe me kultura ndryshe, por në një pikë të historisë, u bashkuan në ideologji. Sot investimet kineze numëron me gishtat e dorës, ndërsa vlera e tyre është jo më shumë se sa simbolike.
“Më shumë se sa qasje jo dashamirëse, do të thosha që ato propozime që janë bërë, të paktën për disa investime të caktuara nuk kanë qenë shumë efektive për t’u mirëpritur siç mund të jenë investime të tjera.”- vlerëson eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se me përjashtim të 2022-shit, investimet e reja të kryera nga kompani kineze në Shqipëri nuk e kanë kapur as shifrën e 1 milionë eurove në vit. Disi me më shumë optimizëm ka nisur ky vit me rreth 590 mijë euro të investuara nga bizneset kineze.
“Në sektorë strategjikë, nuk duhet fshehur që Kina ka pasur propozime si shtet, jo si privat dhe ne kemi qenë të kujdesshëm edhe në impaktin gjeopolitik. Pra qeveria shqiptare nuk e ka mbajtur të fshehtë riskun gjeopolitik në raportet kur ato nuk janë të bazuara në parimet e tregut, por në qëllimet e mëvonshme.” – thotë ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, rezultojnë 178 biznese me të paktën një ortak me shtetësi kineze me status aktiv që operojnë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre suhtrojnë veprimtarinë e tyre në tregti me shumicë e pakicë, riparim të automjeteve dhe industri përpunuese.
Të dhënat nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve tregojnë se kryesisht në industrinë automotive por edhe infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, ka pasur disa kompani kineze që kanë shprehur interesin, por pa sukses për të investuar në Shqipëri vitet e fundit.
“Shqipëria është një treg i vogël dhe natyrisht investimet e huaja të mëdha, përveç se në ndonjë rast të caktuar energjie ose gaz apo elementë të tjerë është zor që të jenë në ato përmasa vetëm për rastin e Shqipërisë. Gjithnjë e më shumë investimet e huaja po synojnë investime në karakter më rajonal dhe kështu bëhen edhe më tërheqës për të ardhur në Shqipëri.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
“Kinezët tentuan të vinin në Shqipëri për pjesën e.. të investonin në sektorin e agrikulturës. Donin që të merreshin me mbledhjen e vajit të ullirit dhe këtë ta çonin në Kinë. Përsëri panë që në realitet prodhimi shqiptar ishte relativisht shumë i ulët në raport me kërkesat që kishin ata.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.
Sot Kina renditet pas Egjiptit apo Izraelit në drejtim të investimeve të huaja në Shqipëri. Në total nga shteti me miqësi e pashoqe mes politikës dhe popujve janë investuar rreth 5 milionë euro.
“Kjo ka edhe një komponent të rëndësishëm politik sepse si janë marrëdhëniet ekonomike, të cilat gjithmonë mbrapa reflektojnë edhe marrëdhëniet politike sepse po të shikosh edhe investimet e huaja të mëdha kineze në Serbi apo në vende të tjera natyrisht mbrapa kanë edhe një domethënie gjeopolitike ose politike.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
“Ne prej vitesh tashmë kemi një situatë ku globalizimi ka përfunduar dhe kemi tashmë dy blloqe ku kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Perëndimin nga njëra anë ku jemi pjesë dhe vendet e Lindjes nga na tjetër ku Kina është shteti kryesor pasur nga Rusia. Mund të themi se ashtu si në periudhën e komunizmit Shqipëria nuk mirëpriste investime nga vendet Perëndimore, mund të themi se sot nuk mirëpret nga vendet e Lindjes.” vlerëson eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho.
Po këto perceptime, qofshin të argumentuara nuk pranohen nga Qeveria e Shqipërisë dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pas një kërkese për informacion, përgjigjet kështu:
“Shihni ju ndonjë pengesë për investitorët privatë kinezë që të investojnë në Shqipëri? Unë nuk kam. Problemi që ngrihet në rrugët diplomatike nga Kina është fakti që ata ankohen për projekte ndërqeveritare.” – argumenton ish-ministri Financave, Arben Malaj.
Argumente të ngjashme jep edhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
“Unë kam lexuar librat e dy ekonomistëve të Izraelit që tregojnë çelësin e suksesit të tyre. Dhe këshilla që jepej është kjo: Ju ndërtoni infrastrukturën ligjore dhe fizike… cepat dhe aktivitet se ku mund të ketë fitim e gjen biznesi dhe jo qeveria.” argumenton ish-ministri Financave, Arben Malaj.
Megjithatë përgjigja diplomatike e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, bashkë me argumentet e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve dhe ekspertët nuk përputhen tërësisht me atë që kryeministri Edi Rama deklaroi në Samitin e Vilniusit, pak më shumës e një vit më parë.
“Si Rusia dhe Kina janë martesa të vjetra që ne nuk do donim t’u riktheheshim. Për të tjerët është ndryshe. Thjesht imagjinoni, që prej 1990 kur ne morëm lirinë nuk ndodhi ndonjë vizitë zyrtare në nivel të lartë nga Shqipëria në Moskë apo nga krahu tjetër. Me Kinën është ndryshe sepse kemi marrëdhënie miqësore, por nuk është një vend, nuk është vendi ynë që kemi pasur shumë investime kineze dhe ne nuk është se mirëpresim kaq fort investimet kineze. Them se i thashë të gjitha, që nuk do që t’i kthehesh një martese të vjetër.” – u shpreh kryeministri Rama në korrik të vitit të shkuar.
Shqipëria dhe Kina kanë marrëdhënie miqësore dhe të paktën për momentin ky është një fakt i pamohueshëm, por po aq pakundërshtueshëm edhe fakti tjetër… që vendi i ruhet edhe përdorimit të ekonomisë si mjet presioni politik.
“Në arenën globale janë theksuar edhe veprimet dhe qëndrimet jo konstruktive dhe armiqësore të fuqive autoritare si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat kanë zgjedhur të rreshtohen në krah të Rusisë duke e mbështetur atë politikisht dhe në rastin e Iranit dhe Koresë së Veriut edhe me mjete ushtarake. Siguria ekonomike mund të cenohet edhe nga përpjekjet e aktorëve globalë për të depërtuar në ekonomi për objektiva gjeo-ekonomike e me synime për ta përdorur ekonominë si mjet presioni politik.” – thuhet në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2023-2028.
“Absolutisht ekonomia përdoret si element dhe presion politik. ekonomia është politikë dhe përdoret nga çdo vend qoftë ky diktatorial apo demokratik. Është element ndikues, absolutisht po.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho.
“Edhe mjet presioni politik, edhe ekspansioni ekonomik dhe shtrirje e influencës në shumë gjëra të tjera.” vlerëson eksperti i ekonomisë, Adrian Civici.
Bashkimi Evropian e ka identifikuar Kinën si “partnere për bashkëpunim” në njërën anë, por edhe si “konkurrente ekonomike”, në anën tjetër. Në aspektin politik, Pekini është vlerësuar si “kundërshtar sistematik”.
“Në të kaluarën, para viteve ’90 dhe sot vendet e zhvilluara gjithmonë e më tepër po e shfrytëzojnë këtë. Përdorin atë që konsiderohet si “diplomacia ekonomike”. Pra para viteve ’90, por edhe sot ambasadat nuk janë vetëm një përfaqësi diplomatike, po ato shërbejnë për të akomoduar edhe bizneset e atyre vendeve për të ushtruar aktivitetin e tyre.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.
“Kina ka një politikë ekspansive që synon vendosjen e shteteve të ndryshme nën një regjim dominimi politik nëpërmjet investimeve ekonomike. Çka dua të them me këtë është që Kina blen vende të ndryshme, pra blen qëndrimin politik të vendeve të ndryshme duke investuar në to.” vlerëson eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Bashkimi Evropian e ka identifikuar Kinën si “partnere për bashkëpunim” në njërën anë, por edhe si “konkurrente ekonomike”, në anën tjetër. Në aspektin politik, Pekini është vlerësuar si “kundërshtar sistematik”.
“Dhe ju e dini shumë mirë që Kina është nismëtare e grupit “BRICS”. E dyta, ajo jep kredi pa kushte ekonomike, politike e sociale. e treta, kinezët nuk janë të lehtë për të negociuar dhe shumë nga vendet që kanë marrë kredi nga Kina kanë lënë peng asete kombëtare. Shikoni Malin e Zi, u desh Evropa të ndërhynte.” vlerëson ish-ministri i Financave, Arben Malaj.
“Ka pasur raste dhe investime jo të gjitha vendet kanë ngelur të lumtura nga investimet kineze. Ne kemi rastin e Malit të Zi me një investim në 40 kilometër autostradë dhe që ende sot vazhdon të paguajë dhe nga njëra anë nuk dihet se çfarë benefitesh kanë sjellë dhe nga ana tjetër dihet që fatura është e lartë dhe e ka shteti i Malit të Zi.” – thotë eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho.
Një panoramë tërësisht ndryshe nga ajo e investimeve paraqitet ajo në drejtim të marrëdhënieve tregtare. Kina është ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë me importet që gjatë vitit të shkuar tejkaluan shifrën e 933 milionë eurove. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë. Jo në të njëjtat nivele me importe, por edhe në drejtim të eksporteve Shqipëri ka marrëdhënie në forcim e sipër me Kinën. Vitin e shkuar kompanitë shqiptare çuan në tregjet e shtetit aziatik mallra dhe produkte me vlerë mbi 100 milionë euro.
“Tregtia e mallrave është një tregti që mbyllet aty për aty… unë blej këtë dhe të paguaj lekët. Investimet janë ato që krijojnë varësi.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Megjithatë sipas një artikulli të publikuar në “Per Concordiam” një revistë akademike që fokusohet në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Europë, Kina mund të përdorë marrëveshje tregtare me venet e Ballkanit Perëndimor që t‘i mundësojë kompanitë kineze të anashkalojnë kufizimet tregtare dhe të eksportojnë produkte direkt në tregun e BE-së prej 800 milionë banorësh, falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë që vendet e Rajonit gëzojnë me “unionin”.
“Marrëdhëniet tregtare janë të rëndësishme me Kinën. Mos harrojmë që sot ende “fabrika e botës”. Kjo do të thotë se Kina ka marrëdhënie të tilla tregtare thuajse me të gjitha vendete botës.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho..
Aktualisht Shqipëria është vendi më pak i lidhur me Kinën në Rajon pas Kosovës, pavarësisht se ka firmosur mbi 50 marrëveshje ekonomike me shtetin, dikur aleatin më të afërt. Vendi gjithashtu u bë pjesë e projektit ambicioz kinez, “Një brez, një rrugë”, por duke mos marrë asnjë kredi të paktën deri më tani. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se situata nuk mund të ndryshojë. Edhe përse Shqipëria ka marrë hapin tjetër për integrim në Bashkimin Europian me hapjen e negociatave, procesi mund të zgjasë me vite, në mos dekada. Vetë Parlamenti Europian paralajmëron për atë që e quan “enlargement fatigue,” pra lodhjen që vjen nga pritja shumëvjeçare për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian pa rezultate konkrete, mund t’i lodhë kandidatët dhe qytetarët e tyre. Në këto momente dobësie, Kina do të jetë gati që të japë një alternativë më të thjeshtë, si në rastin e pandemisë me vaksinat anti-Covid..