Për të mbajtur fuqinë punëtore në vend, kryesisht ata sezonal, qeveria së bashku me organizatat, por dhe shoqatat në vend, po përgatisin një draft propozim. Pagesat jashtë sezonit, por dhe siguracionet janë masat që pritet të merren për tu ardhur në ndihmë qytetarëve.
Jo vetëm punonjës të bareve, restoranteve, por dhe të bujtinave apo dhe hoteleve pritet të përfitojnë nga masat që do të merren për punësimet sezonale. Është kjo një kërkesë ndër vite e bizneseve në këto sektorë për të ruajtur fuqinë punëtore sidomos atë të kualifikuar, por dhe zhvilluar turizmin gjithëvjetor.
“Një nga zgjidhjet është dhe pagesa 4 muaj e punonjësve të turizmit sezonal me një kontratë me subjektet që duhet ta mbajnë 8 muaj hapur. Ishim në një takim me ILOn, e cila në bashkëpunim me qeverinë është duke e përgatitur këtë gjë. Është e vetmja zgjidhje që të kesh punonjës të kualifikuar të trajnuar dhe të kesh një kohëzgjatje gjithëvjetore”, tha Zak Topuzi, kreu i shoqatës së hotelerisë.
Sipas Topuzit sezonaliteti është kthyer në një problem serioz për gjetjen e fuqisë punëtore, pasi punonjësit kërkojnë qëndrueshmëri.
“Problemi shqiptar është se turizmi është një industri sezonale në renditjen botërore jemi në vendin e 108. Ky sezonalitet nuk i jep një punë të qëndrueshme një pagë të qëndrueshme dhe një siguracion gjatë gjithë vitit”, u shpreh Zak Topuzi, kreu i shoqatës së hotelerisë.
Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore bizneset po bashkëpunojnë me institucionet arsimore për rregullimin e programit mësimor nga qershori deri në shtator.
“Rritja e pagave në sektorin e turizmit në periudhën e verës ka bërë që një pjesë e mirë një pjesë e nxënësve ose studentëve t’i drejtohen kësaj industrie. Kryesisht jugu ka paga të krahasueshme me Greqinë”, tha Topuzi.
Shqipërisë sipas shoqatave në sektorin e turizmit i mungojnë rreth 30 mijë punonjës në sektorin e akomodimit por dhe shërbimeve.