NATO ka njoftuar se më 24 janar 2024 u krijuan linjat e reja ajrore në të gjithë hapësirën ajrore shqiptare, për të lehtësuar fluturimet drejt dhe nga Aeroporti i Prishtinës.
Shkurtimi i trajektoreve të fluturimeve për dhe nga Kosova përfshin 08-12 minuta.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) ka mbajtur ceremoninë e hapjes zyrtare të korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte dhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu; ambasador të vendeve të QUINT-it dhe të Ambasadës së Shqipërisë; përfaqësues të KFOR-it si dhe përfaqësues të avio kompanive në Kosovë.
Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, ka thënë se me hapjen e këtyre korridoreve do të ketë çmime me të lira të udhëtimit e shkurtim të kohës së udhëtimit.
“Falë ndihmës së bashkëpunëtoreve tanë, NATO, KFOR, shtetit shqiptar ne kemi arritur një marrëveshje në fund të vitit te kaluar. Është një mundësi shumë e mire në disa aspekte, si financiare do ketë çmime më të lira, shkurtim udhëtimi në kohë, e edhe në aspektin financiar. Aterrimet në aeroportin e Prishtinës edhe në një mjegull të madhe, pra në kushte të vështira klimatike, mjaftojnë që të ketë dukshmëri deri në 50 metra që të bëhet fluturimi i avionëve në regjion. Në rast se ai i Shkupit dhe i Tiranës në raste të vështira gjatë aterimetve të mund të vijnë në Prishtinë. Aspekti teknik është kryer shumë herët”.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti se ky është një moment historik që padyshim do të formësojë të ardhmen e udhëtimeve ajrore në rajonin tonë.
“Është një hap progresi, efikasiteti dhe përgjegjësie ndaj mjedisit. Duke shkurtuar trajektoren e udhëtimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet prej 8 deri në 12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dyoksidit të karbonit”
Ai ka falënderuar partnerët duke thënë se në këtë drejtim qeveria ka investuar 34 milionë euro.
“Dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë. Në këtë drejtim ne kemi bërë ndryshime thelbësore ku Qeveria e Kosovës ka investuar 34 milionë euro. Jemi krenar me progresin që kemi arritur”.
E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se hapja e rrugëve të reja ajrore për Kosovën u arrit pas një pune ekipore 15-mujore me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, por edhe me ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ai madje e quajti të vonuar hapjen e korridoreve të reja, pasi sipas tij, kjo ka mundur të ndodhë disa vjet më parë. Rohde u zotua se do të vazhdojnë punën që të hapen edhe korridore të tjera, duke përmendur Malin e Zi.
Dritan Shakohoxha, CEO i Albawings, tha se është kënaqësi arritja e kësaj marrëveshjeje, e cila do jetë në të mirën e të gjithëve.
Shakahoxha shtoi se stafi do jetë me anëtar nga Kosova, me vajza të ndryshme nga Peja, Prishtina e qytete tjera e po ashtu nuk e mohoi mundësinë që ndoshta edhe një nga pilotët do jetë nga Kosova.
“Zotëri Libur Aliu na ka mbështetur shumë por edhe kryeministri i Kosovës, jemi në këtë moment nga avion e deri në fund të verës mendojmë që të kemi deri në tre aviona në Prishtinë, për të flutuar kështu nga Prishtina në vende të ndryshme”.
I kënaqur u nda edhe Remzi Ejupi, pronar i EuroKoha, i cila tha se kjo marrëveshje ka shumë benefite, mes tyre shkurtesën prej 40 minutash vajtje-ardhje.
“Ka dëmëthënie të madhe sepse shkurtohet rruga, ulen çmimet e biletave, gjithashtu. Por më e rëndësishmja kalojmë në Shqipëri për një kohë shumë të shkurtër. Presim gjithashtu që të hapet edhe vija përmes Malit të Zi, e edhe industria e aviacionit me shkurtesë prej 40 minutash vajtje ardhje do të reflektojë shumë.”
Ejupi tha se Me malin e Zi është arritur marrëveshja, e është nënshkruar edhe nga presidentja, ku pas 24 viteve pritje për hapje të hapsirës ajrore radha i erdhi tani.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.
Kurse, NATO ka njoftuar se më 24 janar 2024 u krijuan linjat e reja ajrore në të gjithë hapësirën ajrore shqiptare për të lehtësuar fluturimet drejt dhe nga Aeroporti i Prishtinës.
Në njoftimin e NATO-s thuhet se ky zhvillim i ri është rezultat i përpjekjeve të kryera në një proces të udhëhequr nga NATO që synon normalizimin e trafikut të aviacionit civil në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Linjat e reja do të ndikojnë pozitivisht në aviacionin civil dhe do të ofrojnë përfitime të konsiderueshme, duke përfshirë kohë më të shkurtra fluturimi, konsum më të ulët të karburantit dhe reduktim të ndotjes”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se NATO ka mbështetur procesin e normalizimit të përdorimit të hapësirës ajrore mbi Kosovë që nga viti 1999, duke udhëhequr konsultimet e njohura si “Takimet e Normalizimit të Aviacionit Ballkanik”.
Njoftimi për hapjen e korridoreve ajrore ishte bërë më 28 dhjetor të vitit 2023
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020./Monitor