Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të kalojë “në sitë”” 24 mijë biznese të ushqimit. Kontrolli do të bëhet sipas metodologjisë së re me bazë risku, pas marrjes së mostrave.
Kontrollet do të përfshijë kategorinë e bizneseve prodhuese, përpunuese dhe të shpërndarjes së ushqimit, sipas nëngategorive, si: thertoret, shitësit me pakicë të mishit, peshkut, qumështit, baret, restorantet, fastfood, prodhuesit e pijeve alkoolike, të lëngjeve të frutave, dyqanet e tregtimit të bukës, birraritë, stabilimentet e paketimit të vezëve, të përpunimit të peshkut etj.
Udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë “Për miratimin e “Planit kombëtar të kontrolleve zyrtare me bazë risku dhe të marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, mbrojtjen e bimëve dhe inputeve bujqësore, si dhe planin e marrjes së mostrave në pik, për vitin 2024” përcakton se kontrollet nga autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) do të kryhen mbi një metodologji të mirëfilltë për profilizimin e riskut të çdo operatori të biznesit referuar historikut të tyre.
“Ky plan ka si qëllim kryerjen e kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit bazuar vlerësimit individual, me qëllim kategorizimin e riskut në varësi të riskut të tyre, si dhe frekuencat e përshtatshme të inspektimeve të kontrolleve zyrtare për OB-të në bazë të rezultateve të procesit të kategorizimit”, thuhet në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas udhëzimit metodologjia e përdorur për kontrollet është risi dhe objektivat kryesorë të “Planit të Kontrollit Zyrtar Vjetor” dhe “Plani i Marrjes së Mostrave”, për vitin 2024 do të jenë, si: zbatimi i rregullave të sigurisë ushqimore përmes kontrolleve zyrtare të përmirësuara, përfshirë kushtet e kontrollit; organizimi i kontrolleve zyrtare, monitorimi dhe verifikimi për përmbushjen e kërkesave ligjore, si dhe kryerja e kontrolleve zyrtare sipas planit të marrjes së mostrave, bazuar në vlerësimin e riskut dhe frekuencën e përcaktuar.
Metodologjia e re në lidhje me profilizimin e riskut të operatorëve të biznesit, nuk parashikon përllogaritjen e frekuencave të ndryshme të kontrolleve zyrtare të planifikuara me bazë risku për çdo drejtori rajonale të AKU. Udhëzimi përcakton se në këtë metodologji frekuenca është e njëjtë për të gjithë drejtoritë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit e përcaktuar në udhëzim.
E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për profilizimin e riskut, ku për të njëjtën kategori kryesore/nënkategori/veprimtari specifike, nuk kemi më një risk të unifikuar për të gjithë drejtoritë rajonale të AKU, por bazuar sistemit të pikëzimit.
Në total për vitin 2024 janë 23,823 operatorë të biznesit ushqimor që ushtrojnë veprimtari në sektorin e kontrollit zyrtar të ushqimit, ushqimit për kafshë për produkte me origjinë shtazore dhe origjinë joshtazore.