Në fund të janarit, në Varesh në Bosnjën Qendrore do të fillojë nxjerrja e mineraleve që mund të përmbajnë ar, sipas raportimeve të mediave vendase. Kjo në kuadër të një projekti në të cilin janë investuar mbi 200 milionë euro dhe pritet të ringjallë atë zonë e cila pas luftës mbeti tërësisht e lënë pas dore dhe nga e cila banorët u larguan masivisht.
Sipas Adriatic Metals – Bosnje e Hercegovinës, kjo që po ndërtohet në zonë këtu është më modernja në botë dhe më 24 janar do të fillojë prodhimi i sasisë së parë të mineraleve. Çdo ditë do të rritet sasia derisa të arrihet në 65 ton në muaj, që pritet të ndodhë në korrik të këtij vit
Kjo kompani ka marrë më parë një koncesion për kërkimin dhe shfrytëzimin e pasurisë minerale në afërsi të Vareshit, një vend i njohur për minierën më të madhe të mineralit të hekurit në të gjithë Ballkanin dhe të dhënat historike tregojnë se është shfrytëzuar që në periudhën antike.
Kompleksi i madh i përpunimit në Varesh u krijua gjatë sundimit të Monarkisë Austro-Hungareze dhe vendi ishte një qendër e rëndësishme industriale gjatë periudhës së Jugosllavisë.
Në këtë kohë, nga minierat në rrethinën e Vareshit nxirreshin deri në tre milionë ton xeherore në vit, që përpunoheshin si lëndë e parë. Të gjitha objektet industriale në Varesh u shkatërruan në luftën nga viti 1992 deri në 1995 dhe numri i banorëve ra nga më shumë se 22 mijë para luftës në pak më shumë se 8 mijë sipas regjistrimit të vitit 2013.
Adriatic Metals BH filloi projektin e ‘ringjalljes’ së Vareshit me supozimin se depozitat e mineralit të hekurit prej rreth 200 milionë ton janë të fshehura në rrethinën e tij. Hulumtimet e kryera konfirmuan se në këto vendburime ka gjurmë ari, argjendi, plumbi, zinku, bariti dhe bakri. Në minierë do të punësohen 300 punëtorë dhe pritet që fillimi i prodhimit të rezultojë me hapjen e deri në dy mijë e gjysmë vende pune shtesë në aktivitetet përkatëse.
Deri më tani, Adriatic Metals ka investuar në projekt pak më shumë se 230 milionë euro. Llogaritet se deri në vitin 2050 do të jenë në gjendje të prodhojnë dhe shesin vetëm zink dhe plumb me vlerë më shumë se pesë miliardë euro.