Eksperti i ekonomisë Pano Soko, i ftuar në studion e “A2 Business” të gazetares Aurora Sulce, deklaroi në lidhje me buxhetin e vitit 2024 se vërtet që është “buxheti më i madh që kemi pasur ndonjëherë, por kjo do të thotë se taksat që paguajnë qytetarët janë më të shumtat që kanë paguar ndonjëherë”.
“Është buxheti më i madh që kemi pasur ndonjëherë. Që do të thotë se taksat që paguajnë qytetarët janë më të shumtat që kanë paguar ndonjëherë. Ideja është që meqë kemi pasur rritje të jashtëzakonshme i dedikohet ndër të tjera edhe paketës fiskale dhe shtrenjtimit të çmimeve për shkak të inflacionit. Këto dalin kryesisht nga taksat e konsumit, që rëndojnë më shumë shtresat më të varfëra. Sot që flasim, shtresat poshtë mesatares janë ata që mbajnë të gjithë barrën e konsumit”, tha Soko.
Më tej, eksperti theksoi se “problemi që kemi sot është se qeveria duhet të subvencionojë fermerët që të mbajnë bagëtitë”.
“Fermeri ka problem të rrisë lopën, ta ushqejë, dhe këtu ndërhyrja që do të bënte sens do të ishte rritja e kontributit shtetëror për krerë. Fokusi nuk është fare bujqësia”, deklaroi Soko./A2 CNN