Banka e Shqipërisë ka dhënë përfundimet e saj mbi gjendjen e ekonomisë, duke lënë të pandryshuar në nivelin 3 për qind normën bazë të interesit për lekun. Në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori Gent Sejko pohoi lidhjen e këtij vendimi me objektivat për Inflacionin, teksa ekonomia parashikohet në rritje.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se norma aktuale e interesit ndihmon në krijimin e kushteve monetare të përshtatshme për të kthyer inflacionin në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Gjithashtu është konsistente me kursin e këmbimit.” + “Projeksionet e skenarit bazë tregojnë se ekonomia shqiptare do të rritet në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektivin 3 për qind brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm”, deklaroi Sejko.
Ndërkohë për Bankën Qendrore, kursi aktual i këmbimit në nivelet e 105 lekë do të jetë normaliteti i ri edhe për periudhën në vijim.
“Pas luhatjeve, ky kurs është sinjalizuar në periudhën gusht e shtator duke krijuar një normalitet të ri. Megjithatë në periudhën afatshkurtër mund të përballemi me luhatje”, u shpreh Sejko.
Mbajtja në nivelin 3 për qind të normës bazë të interesit është lajm i mirë për kredi-marrësit në lekë, të cilët nuk do të paguajnë më shumë për këstet e tyre. Megjithatë Banka e Shqipërisë paralajmëron se nëse inflacioni do të pësojë rritje, atëherë edhe politika monetare mund të shtrëngohet më tej.