Nga Herjola Spahiu, eksperte për sistemin bankar
Protesta paqësore është një e drejtë demokratike dhe duhet respektuar. Pas më shumë se dy dekadash përvojë në sektorin financiar, dua të ndaj një perspektivë mbi rëndësinë e stabilitetit financiar. Sistemi bankar nuk është vetëm një sektor ekonomik, por infrastruktura që mban gjallë ekonominë: aty kryhen pagesat e pagave dhe pensioneve, pagesat e bizneseve dhe kreditimi i tyre. Themeli i tij është besimi. Besimi ndërtohet ngadalë dhe humbet shpejt.
Dëmtimi i degëve, bankomateve apo sistemeve të pagesave nuk i godet «institucionet financiare» si koncept, por vështirëson ofrimin e shërbimeve për njerëzit: depozituesit, familjet që mbështeten te shërbimet lokale dhe bizneset e vogla që kanë nevojë për likuiditet çdo ditë. Kur besimi lëkundet, rritet perceptimi i rrezikut, kreditimi bëhet më i shtrenjtë dhe rritja ekonomike ngadalësohet, shpesh për një kohë shumë më të gjatë se vetë ngjarja.
Përvoja ndërkombëtare tregon se koston e paqëndrueshmërisë financiare e përballojnë qytetarët dhe kontribuuesit, jo ata ndaj të cilëve drejtohet protesta. Prandaj, është e rëndësishme të tregojmë kujdesin maksimal për të mbrojtur të drejtën për t’u dëgjuar dhe, në të njëjtën kohë, për të ruajtur institucionet që garantojnë kursimet, vendet e punës dhe të ardhmen ekonomike të vendit.







