Arrin në nivele rekord numri I turistëve të huaj që kanë hyrë në vend në 7 muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në periudhën janar-korrik të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë mbi 5.1 milionë shtetas të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri I shtetasve të huaj është rritur me 30.6 %.
Vetëm në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar vlerësohet në mbi 1.7 milionë persona, me rritje 26.2% kundrejt korrikut të një viti më parë. Të dyja këto shifra janë nivele rekord të paregjistruara ndonjëherë më parë.
Pjesa më e madhe e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri janë nga Europa, më saktësisht 1.6 milionë, pasuar nga Amerika dhe Lindja e Mesme, përkatësisht me 45.821 dhe 14.805 shtetas.
Në Korrik 2023, krahasuar me Korrik 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur: për qëllime personale me 26%; për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj me 22.8 %; për biznes dhe qëllime profesionale me 63.3 %.
Të dhënat e tjera, që janë të disponueshme deri në qershor treguan se peshën kryesore të hyrjeve të shtetasve të huaj vijon ta mbajë Kosova, me 40% të totalit, ndërsa për herë të parë në vend të dytë kaluan italianët, me 9% të totalit.
Por nga ana tjetër, në rritje është edhe numri I shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2023 janë 710.711. Krahasuar me Korrik 2022, ky tregues është rritur me 27.8 %.
Ndërsa si periudhë 7-mujore, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë vlerësohet në mbi 3.7 milionë, me rritje 21.4 % kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.