Janë publikuar së fundmi renditjet vjetore të universiteteve botërore QS për vitin 2024 – dhe Europa ka marrë gjysmën e vendeve të para në top 10. Vlerësimi vjetor tani në vitin e tij të 20-të bazohet në analizën e 17.5 milionë punimeve akademike dhe mendimet e ekspertëve të mbi 240,000 fakulteteve akademike dhe punëdhënësve nga e gjithë bota.
Europa pretendoi pesë nga 10 pozicionet kryesore, ndërsa universitetet anglishtfolëse dominojnë në nivelet e larta të renditjes me rezultate perfekte në kategori të tilla si reputacioni akademik, reputacioni i punëdhënësit dhe raporti fakultet/student. Instituti i Teknologjisë i Massachusetts (MIT) në Kembrixh, Shtetet e Bashkuara, siguroi vendin e parë me një rezultat të përgjithshëm prej 100 për të 12-tin vit radhazi.
Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar pason nga afër, duke marrë vendin e dytë me 99.2 pikë, ndërsa rivali lokal, Universiteti i Oksfordit siguroi vendin e tretë me 98.9 pikë. Universiteti i Harvardit zuri vendin e katërt me një rezultat prej 98.3 dhe Universiteti Stanford u rendit i pesti me 98.1 pikë.
Në Europë, 10 universitetet më të mira për vitin 2024 janë Universiteti i Kembrixhit (99.2) i cili ishte i dyti në botë; Universiteti i Oksfordit (98.9), i treti në mbarë botën; Kolegji Imperial i Londrës (97.8), i cili zuri vendin e gjashtë në mbarë botën; ETH Zurich (93.9) i 7-ti në total; dhe Kolegji Universitar i Londrës (92.4) i cili ishte i 9-ti në botë.
Në vendin e gjashtë në kontinentin europian është Universiteti i Edinburgut në MB (86,1), i ndjekur nga Université PSL Paris, Francë (85,8), Universiteti i Mançesterit (82,2), École Polytechnique Fédérale de Lausanne (EPFL), Zvicër ( 80.4) dhe Universitetin Teknik të Mynihut, Gjermani (80).
Rezultati i përgjithshëm i renditjes prestigjioze arrihet duke marrë parasysh nëntë metrika vendimtare: reputacioni akademik, reputacioni i punëdhënësit, raporti fakultet-student, citimet për fakultet, raporti i fakultetit ndërkombëtar, raporti i studentëve ndërkombëtarë dhe, për herë të parë këtë vit, rrjeti ndërkombëtar i kërkimit, rezultati i punësimit dhe qëndrueshmëria.
Treguesit e rinj “pasqyrojnë ndryshimet në arsimin e lartë që kanë ndodhur gjatë dy dekadave të fundit, të tilla si rëndësia në rritje e qëndrueshmërisë, punësueshmërisë dhe bashkëpunimeve kërkimore”, sipas ekspertëve.
Renditja e universiteteve botërore QS 2024