Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Oda ka thënë se anëtarët e saj janë të shqetësuar që kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese.
“Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara”.
Oda tutje ka treguar se situata aktuale ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës.
“Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”, thuhet në komunikatën për media.
Oda Gjermane ka deklaruar se lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes.
“U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik”.
Kurse, gjatë ditës se djeshme Qeveria e Kosovës ka treguar se “pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe”, ka marrë vendim që të ndalojë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.
Për këto masa sot ka fol edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos transporti i mallrave.