Pagesat në euro përmes sistemit bankar në Shqipëri vijojnë të rriten, si në numër transaksionesh, ashtu edhe në vlerë monetare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, përmes sistemit AIPS-EURO janë kryer rreth 288 mijë pagesa për klientët, me një vlerë totale prej 4.3 miliardë eurosh. Tendenca rritëse është shfaqur që në fillim të vitit, me një intensifikim të aktivitetit gjatë muajve të verës. Nëse në janar numri i pagesave ishte rreth 31 mijë, në korrik ai iu afrua 50 mijë, duke shënuar nivelin më të lartë për periudhën janar-korrik.
Edhe vlera e transaksioneve ka ndjekur një ecuri përgjithësisht pozitive, megjithëse me luhatje mujore. Prilli regjistroi vlerën më të lartë të pagesave deri në korrik, ndërsa gjatë qershorit dhe korrikut transfertat qëndruan në nivele të konsiderueshme, mbi 700 milionë euro në muaj. Aktiviteti i lartë ka vijuar edhe gjatë shtatorit. Sipas të dhënave, gjatë këtij muaji janë kryer mbi 48 mijë transaksione, me një vlerë totale prej afro 725 milionë eurosh. Krahasuar me gushtin, numri i pagesave është rritur me rreth 10%, ndërsa vlera e tyre ka shënuar një zgjerim prej afro 9%. Për nga numri i transaksioneve, shtatori renditet ndër muajt më aktivë të vitit, pas korrikut. Ndërsa për nga vlera monetare, ai shënon nivelin e dytë më të lartë, pas muajit prill.
Përmes sistemit AIPS-EURO, individët dhe bizneset mund të kryejnë pagesa dhe transferta në monedhën europiane përmes bankave të nivelit të dytë. Për sipërmarrjet, ky kanal lehtëson shlyerjen e detyrimeve ndaj furnitorëve dhe partnerëve tregtarë, ndërsa për individët mundëson kryerjen e transfertave dhe pagesave të ndryshme në euro. Rritja e vazhdueshme e numrit dhe vlerës së transaksioneve dëshmon për përdorimin gjithnjë e më të lartë të këtij sistemi në ekonominë shqiptare, duke e konsoliduar AIPS-EURO si një kanal të rëndësishëm për pagesat ndërbankare në monedhën europiane.






