Qeveria ka gjetur një mënyrë për të detyruar bashkitë të shlyejnë borxhet. Bëhet fjalë për një stok që vitin e kaluar shënoi vlerën e 5.9 miliardë lekëve. Në seancën e fundit plenare u miratuan disa ndryshime ligjore, që parashikojnë një formulë të re për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Sipas ligjit të ri tashmë përllogaritja e borxheve të bashkive nuk do të bëhet më mbi shpenzimet e planifikuara, por mbi ato faktike. Ndërkohë një tjetër ndryshim me ligjin e ri është fakti se jo më pak se 30% e fondeve që mbeten nga shpenzimet e parealizuara, tashmë do duhet të përdoren për të shlyer detyrimet e prapambetura.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2015, kur nisi zbatimin reforma territoriale administrative borxhet ishin në nivelin e 12.9 miliardë lekëve, Ato duhet të ishin shlyer në vitet që pasuan, por kjo nuk ndodhi, edhe pse stoku zbriti në 5.9 miliardë lekë në fund të vitit 2022-it.
Gjysma e këtyre detyrimeve është krijuar ndaj palëve të treta për projektet e investimeve publike, ndërsa pjesa tjetër u përket shërbimeve të papaguara, vendimeve gjyqësore dhe faturat e papaguara të energjisë ndaj OSHEE.