Turistët e huaj po preferojnë Shqipërinë këtë vit. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve të huaj arriti në 1.7 milionë. Një nivel rekord, që vetëm në prill regjistroi një rritje vjetore prej 52%.
Sipas ekspertit dhe tur operatorit, Ferjolt Ozuni, Shqipëria ka hyrë tashmë në tregun ndërkombëtar duke u kthyer në një prej destinacioneve më tërheqëse.
“Ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të jetë një vend atraktiv për të gjithë për disa arsye ku më kryesorja është fakti që ne kemi ofruar një set shërbimesh. Nëse vijojmë me këtë rritje do të kemi një impakt në ekonomi me një rritje prej 2%”, tha Ozuni.
Për ekspertët e industrisë kjo shifër plotëson pritshmëritë, por 5 ditë larg çeljes zyrtare të sezonit turistik, mungesa e stafit shihet si një emergjencë. Ozuni thotë se bizneset janë të papërgatitura me punonjës për të përballuar këtë fluks.
“Problematika më e madhe që ne gjendemi është krahu i punës i specializuar. Që do të thotë kemi të papunë, kërkojmë punonjës, por kemi të papunë që si përshtaten kërkesave që ka tregu”, shtoi Ozuni
Rritja e numrit të destinacioneve ajrore për të akomoduar kërkesat e të huajve për të vizituar Shqipërinë, kanë ndikuar edhe në rritjen e vizitave të shtetasve shqiptarë jashtë territorit të vendit, me mbi 30% gjatë pjesës së parë të vitit.