Përfaqësuesit e Diasporës shqiptare mbeten të vendosur në realizimin e kërkesës së tyre për të drejtën e votimit. Kjo kërkesë u përsërit gjatë takimeve që Këshill Koordinues i Diasporës (“KKD”) zhvilloi në takimin vjetor, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ministrave dhe krerëve të institucioneve shqiptare.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Tiranë, Këshilli Koordinues i Diasporës zhvilloi takime me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe me përfaqësues të mazhorancës dhe partive opozitare. Gjatë këtyre takimeve u diskutua rreth punës që ka bërë KKD, si dhe rreth prioriteteve si institucion.
“Një nga prioritetet tona kryesore është mundësimi i votimit nga jashtë Shqipërisë për shtetasit shqiptarë, e drejtë kjo që garantohet me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor”, theksohet në njoftimin për shtyp të Këshillit Koordinues të Diasporës.
Ky Këshill ka qenë pjesë e grupit të punës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votimin nga jashtë dhe ka ndjekur nga afër procesin e mundësimit të kësaj të drejte themelore nga KQZ. “Në të gjitha takimet kërkuam që palët ta përkrahin punën e KQZ-së në këtë proces duke ofruar bashkëpunimin e tyre, kur ky bashkëpunim iu kërkohet atyre nga KQZ. Të gjitha palët shprehën mbështetjen e tyre për mundësimin e votës së diasporës dhe u zotuan se do të ndërmarrin hapat e duhur në këtë drejtim. Si KKD mirëpresim këtë bashkëpunim të palëve në çështjen e votës së diasporës, si dhe përkrahjen e tyre ndaj interesave të diasporës shqiptare dhe mundësimin e të drejtave të saj. KKD do të vazhdoj të jetë zëri i diasporës shqiptare dhe do të punoj që të drejtat e diasporës shqiptare të respektohen”, theksohet në njoftimin për shtyp të Këshillit Koordinues të Diasporës.