Ndërtimi dhe turizmi kanë ndihmuar ekonominë në tremujorin e tretë të këtij viti. Instituti I Statistikave ka publikuar shifrat e ecurisë së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku konstatohet në këtë periudhë një rritje me 4.02% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,94 pikë përqindje, Ndërtimi me 0,99 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,81 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,65 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,19 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,18 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,05 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,03 pikë përqindje.
Negativisht kontribuan aktivitetet: Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,38 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,20 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0,22 pikë përqindje.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme me rritje dy shifrore
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,22 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 1,38 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,66 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 9,94 %.
Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 6,54%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,93 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 13,84 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 0,53 %.
Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 3,33 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 37,50 %. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 1,85 %.
Konsumi i popullatës u rrit me 8.1%
Rritja e numrit të turistëve në vend duket se ka ndikuar pozitivisht dhe në shtimin e konsumit të popullatës. Sipas INSTAT, Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë:
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8,09 %. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 3,55 %.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rritje me 7,12 %.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,87 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 16,31 %.