Viti 2022 mund të konsiderohet si periudha më e mirë për turizmin shqiptar. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se ai ka tejkaluar dukshëm vitin më të mirë turistik deri më tani që ishte 2019-a duke regjistruar në 11-mujor një rritje me 17% të numrit të vizitorëve.
Sipas INSTAT-it, edhe në muajin nëntor ka pasur një numër të konsiderueshëm hyrjesh drejt vendit tonë, ku një dominim duket se e kanë dhënë shtetasit nga Kosova edhe si efekt i festave të nëntorit.
Konkretisht, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin nëntor 2022, janë 808.813. Ky tregues rezulton me një rritje 47.4%, krahasuar me nëntor 2021.
Në nëntor 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 358.350. Ky numër është rritur me 46.8%, krahasuar me nëntor 2021 ndërkohë që është 34% më i lartë edhe në raport me vitin 2019 kur turizmi ishte në normalitet pa pandeminë e COVID-19.
Hyrjet e shtetasve
INSTAT raportoi se në Nëntor 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 2.4 herë dhe Italia me 62.9%, krahasuar me nëntor 2021.
Gjatë 11-mujorit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3.7 herë dhe Anglia me 93.8%, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 13.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Daljet e shtetasve
Sipas raportit daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022, janë 838.056, duke shënuar një rritje me 41.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje duket se gjithashtu i atribuohet kthimit në normalitet në raport me 2021 dhe ditëve të gjata të pushimeve për festat e nëntorit ku një pjesë e shqiptarëve lëvizin jashtë kufijve.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022 janë 463.097. Krahasuar me nëntor 2021, ky numër është rritur me 47.9%.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit nëntor 2022, janë 374.959. Krahasuar me nëntor 2021, ky numër është rritur me 33.9%.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë 11-mujorit 2022, është 5.247.008, duke u rritur 36.4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.