Kryeministri Rama iu është përgjigjur ndërkombëtarëve për çështjen e amnistisë fiskale. Ai ka deklaruar se nisma e paralajmëruar nga qeveria do të shkojë në parlament, por me një draft që do të ketë edhe miratimin paraprak nga ndërkombëtarët.
“Miqve ndërkombëtarë, partnerëve ndërkombëtarë, cinikëve ndërkombëtarë, kur ia japin gojës pa asnjë siklet duke i futur të gjithë në një thes e duke trajtuar përpjekjen tonë kushtetuese, për të legalizuar 30 vite gjak, djersë kursime, si një përpjekje të dyshimtë për të ndihmuar, lehtësuar, pastruar produktet e krimit. Një skandal. Por ne do të vazhdojmë përpara, sepse kjo është gjëja e duhur dhe e drejtë”, deklaroi Rama.
“Sa shqiptarë kanë vajtur në Britaninë e Madhe, me emër tjetër, si të larguar nga lufta në Kosovë sepse ishin në pikë të hallit dhe donin një zgjidhje. Sa vite kanë punuar ashtu? Ku do t’i çojnë ata kursimet e tyre? Të punës pa orar, në të zezë, që nuk e kanë shpikur shqiptarët, por ata të cilët e kërkojnë dhe e paguajnë. E pra, po nuk i lëmë ata në rrugë, nuk i lëmë. Do të bëjmë të gjitha ato që duhet, do ta bëjmë edhe amnistinë, për të cilën duam të kemi një draft sa më të dakordësuar me miqtë dhe partnerët tanë, se nuk është një gjë që duam ta bëjmë në mënyrë konfliktuale, si karshillëk ndaj askujt, por duhet ta bëjmë për njerëzit tonë”, u shpreh kryeministri.
Kundër amnistisë fiskale janë pozicionuar qartazi Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe shoqatat e biznesit në vend.