Komisioni Europian ka vlerësuar në Progres-raportin për Shqipërinë përparimet që Shqipëria ka bërë në sistemin financiar dhe veçanërisht pensionet private. Vlerësimi ka të bëjë me përafrimin ligjor e rregullator me acquis të BE-së dhe praktikat mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Në konstatimet e kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, ku Autoriteti është institucioni lider, raporti nënvizon se “është bërë progres me sigurimet e detyrueshme dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive”.
“Në fushën e sigurimeve dhe pensioneve private, legjislacioni për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit është përafruar me acquis më të rëndësishme të BE-së. Kuadri nënligjor u miratua gjatë periudhës së raportimit, duke mundësuar zbatimin e plotë të ligjit, përfshirë edhe një aplikacion për llogaritjen e dëmeve personale në rastet e aksidenteve rrugore,” nënvizon Progres Raporti.
Më tej, në dokument përmendet vendimi i Bordit të Autoritetit në shkurt 2022 për të lehtësuar masat e marra gjatë periudhës së pandemisë për të siguruar qëndrueshmëri financiare, duke pezulluar përkohësisht shpërndarjen e dividendit të shoqërive të sigurimit. Raporti nënvizon edhe aderimin e AMF-së në Memorandumin Shumëpalësh të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), për bashkëpunim ndërkombëtar në mbikëqyrje dhe shkëmbim informacioni.
Referuar infrastrukturës së tregjeve financiare, raporti konstaton se Bursa Shqiptare e Titujve, një entitet privat, vijon të operojë kryesisht me titujt e Qeverisë, Depozitari Qendror (AFISAR) është po ashtu në funksion, së bashku me gjithë infrastrukturën e pastregtimit. Raporti lë si rekomandim për t’u përmbushur finalizimin dhe miratimin e dokumenteve strategjike për edukimin financiar dhe për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Edhe Progres Raporti i vitit 2021 vlerësonte progresin e bërë në kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, në veçanti përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit në mars të vitit 2021, si edhe masat e marra nga Autoriteti për garantimin e stabilitetit financiar të tregjeve nën mbikëqyrje gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.