Kush konsumon mbi 800 kWh në muaj energji, do ta paguajë atë me çmimin e tregut. Kryeministri Rama ka bërë publik sot edhe planin për përballimin e krizës energjetike. Pjesë e paketës së masave është edhe rritja e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë mbi fashën 800 kWh në muaj dhe për të cilat, çmimi do të rritet në 42 lekë.
“Kemi mbi 90% konsumatorë familjarë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe kemi një numër konsumatorësh rreth 6 ose 7% që konsumojnë më shumë se 800 kWh. Flasim për konsumatorë familjarë me vila, pishina, me oborr të madh, ndriçim dekorativ për të cilët nuk mund të paguajë më buxheti i shtetit dhe taksapaguesit. Çdo kWh mbi 800 do të paguhet me çmimin e tregut. Me këtë synojmë një presion për të ulur konsumin e tepërt në kushte krize. Sikundër e kemi përsëritur disa herë”, tha Rama.
Ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi se sipas përllogaritjeve, familjet që konsumojnë mbi 800 kWh në muaj energji, do ta paguajnë atë me 42 lekë për kilovat. “Mungesa e reshjeve, është viti i parë që Britania e Madhe dhe Gjermani kanë shpallur emergjencë. Kriza sa po vjen dhe thellohet. Duhet të marrim masa konkrete. Jemi munduar që ta shtyjmë më shpresën që të kishte ulje. Kemi arritur një rekord të çmimit të megavatorit, është një çmim rreth 8 herë më i parë. Do shpallim një paketë sa i përket krizës energjetike. Paketa e fashës 800 megavat i përket një grupi shumë të vogël abonentësh. Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kWh.
Janë të gjitha pajisjet shtëpiake më një aktivitet normal gjatë muajit. Të gjithë qytetarët mund t’i referohen. Sipas të gjitha llogarive tonë. Duke vendosur fashën 800 kilovat ne do të kursejmë 100 milionë euro deri në dhjetor 2023, dhe presim të ulim me 2% konsumin e energjisë. 35 lekë është çmimi plus 7 lekë tarifa e shpërndarjes dhe në total shkon 42 lekë kilovati. Pra për çdo kilovat mbi 800 kilovat, do të paguhet 42 lekë. Në 31 dhjetor do të vendoset çmimi i ri për fashën. Pra çmimi i energjisë do jetë 42 lekë kilovati për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat”, deklaroi Balluku.