Një humbje e madhe për vendin tonë, ndarja nga jeta e Prof. Dr. Beshir Ciceri një ikonë e mendimit shkencor ekonomik shqiptar. Prof. Dr. Beshir Ciceri u nda ditën e djeshme nga jeta.
Fakulteti i Ekonomisë ka përcjellë me anë të një njoftimi zyrtar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të profesorit të mirënjohur, ku shpreh edhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe kolegët që e njohën dhe e deshën.
“Për thuajse pesë dekada Prof. Beshiri, krahas angazhimit në auditore, ka kontribuuar gjerësisht në pasurimin e aktivitetit akademik dhe shkencor me pjesëmarrje në konferenca, kumtesa, referime dhe monografi, duke shprehur pikëpamjet e tij mbi kuadrin financiar dhe fiskal në vendin tonë”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Fakultetit të Ekonomisë.
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë Fakulteti i Ekonomisë njofton ndarjen nga jeta të Profesor Doktor Beshir Ciceri.
Profesor Beshiri është një nga profesorët me kontributin dhe karrierën më të gjatë akademike pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ai është një nga profesorët themelues të programeve dhe kurrikulave bashkëkohohore në fushën e financave, ideator dhe krijues i koncepteve të menaxhimit financiar dhe financave publike në Shqipëri.
Për thuajse pesë dekada Prof. Beshiri, krahas angazhimit në auditore, ka kontribuuar gjerësisht në pasurimin e aktivitetit akademik dhe shkencor me pjesëmarrje në konferenca, kumtesa, referime dhe monografi, duke shprehur pikëpamjet e tij mbi kuadrin financiar dhe fiskal në vendin tonë.
Ai do të mbahet mend për botimin e mbi 15 teksteve mësimore shkencore, si dhe angazhimin e tij në detyra dhe funksione drejtuese dhe administrative në Fakultetin e Ekonomisë. Prof. Dr. Beshir Ciceri ka qenë disa herë Përgjegjës i Departamentit të Financës, Anëtar i Këshillit të Fakultetit, Kryetar i Këshillit të Profesorëve, etj. Ai do të kujtohet si një mbështetje dhe mentor për të gjithë studentët dhe kolegët e tij, si një pikë referimi për këshilla dhe vendimmarje.
Ndarja e tij është një humbje për të gjithë ata që e njohën, e deshën dhe respektuan një profesor të mençur, të dashur e miqësor me të gjithë. Do i mungosh shumë bashkëshortes Lumes, vajzave Gentës dhe Ilirës, mbesave dhe nipit dhe të gjithë kolegëve dhe studentëve, Profesori ynë i dashur!