Tashmë, të gjithë pronarët e apartamenteve që nuk paguajnë tarifat e administrimit të pallateve mund të përballen me kamatëvonesa të larta, procedura përmbarimore dhe kufizime mbi pronën në Kadastër. Rregullorja e re e miratuar nga qeveria, e botuar në Fletoren Zyrtare këtë të premte, përcakton procedurat për mbledhjen e detyrimeve financiare dhe administrimin e ndërtesave të banimit. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me kamatëvonesën, e cila sipas kuadrit të ri ligjor rritet nga 10% në 30% të tarifës mujore për çdo muaj vonesë. Pagesa e tarifës së administrimit nuk është një detyrim i ri, pasi parashikohej edhe në ligjin e vitit 2009, por rregullat e reja forcojnë masat ndaj bashkëpronarëve që nuk shlyejnë detyrimet.
Në rastet kur një pronar nuk ka paguar tarifat për të paktën 12 muaj, ose kur borxhi arrin të paktën 0.5% të vlerës së apartamentit, administratori mund të kërkojë kufizimin e pronës në Kadastër. Kjo masë, pas përmbushjes së procedurave ligjore, pengon shitjen, transferimin apo vendosjen e barrëve mbi pronën deri në shlyerjen e detyrimeve. Kufizimi nuk bëhet automatikisht, por kryesia e pallatit duhet të marrë një vendim me shumicë të cilësuar, ndërsa pronari duhet të njoftohet me shkrim të paktën 10 ditë përpara. Pas paraqitjes së dokumentacionit, Kadastra ka 15 ditë për regjistrimin e kufizimit. Kur borxhi shlyhet dhe depozitohet vërtetimi bankar, masa hiqet brenda pesë ditëve.
Detyrimi për të paguar tarifën mujore vlen edhe kur apartamenti është bosh, nuk përdoret nga pronari apo jepet me qira. Tarifa përcaktohet nga asambleja e bashkëpronarëve, ndërsa në mungesë të dakordësisë zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak. Për ambientet që përdoren për veprimtari tregtare parashikohen tarifa më të larta se për banesat. Rregullorja parashikon gjithashtu krijimin e llogarive bankare për mbledhjen e tarifave dhe administrimin e fondit rezervë, i cili do të përdoret për mirëmbajtje, riparime dhe ndërhyrje emergjente. Bashkitë do të kenë përgjegjësi për mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve të mirëmbajtjes së ndërtesave. Sipas rregullores, dispozitat e reja synojnë të forcojnë administrimin financiar të pallateve dhe të sigurojnë fondet e nevojshme për hapësirat e përbashkëta.







