Ngjarja e rëndë në Mal të Zi me 10 viktima e disa të plagosur, dyshohet se ndodhi për shkak të një borxhi të papaguar.
Sipas informacioneve, familja që kishte marrë me qira banesën e autorit të masakrës, Vuk Boriloviç dyshohet se i kishte vonuar pagesën.
34-vjeçari ka marrë armën e gjuetisë dhe ka shkuar në banesën e fqinjit ku ka gjetur bashkëshorten dhe dy djemtë e tij të mitur.
Ai ka qëlluar fillimisht fëmijët, 11 dhe 8-vjeç, të cilët u përpoqën të fshiheshin pas derës dhe më pas nënën e tyre Natasha Pajovi Martinovic, me profesion infermiere. Dy të miturit ndërruan jetë në vend, ndërsa e ëma u dërgua në spital, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.
Boriloviç pas krimit ka telefonuar kryefamijarin e viktimave dhe i ka thënë “Kam vrarë familjen tënde dhe timen”, dhe është larguar nga banesa e tyre për të shkaktuar masakrën e përgjakshme duke vrarë edhe 7 persona dhe duke plagosur 6 të tjerë.
Ai hyri në shtëpinë e fqinjëve, familjes Drecun, hapi zjarr duke vrarë tre persona, çiftin e të moshuarave Danijela, Dimitrije, djalin e tyre Rajko Drecun,dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Drecun (32-vjeç).
34-vjeçari vazhdoi të qëllonte duke mos kursyer as dajën e tij Goran Gjurishiç, as fqinjët e tij Milan Mitroviç Aleksandra dhe Danijela Radunoviç.
Më pas ka plagosur edhe katër fqinjë të tjerë, si dhe policin Ljubisha Maksimoviq, i cili ka tentuar ta neutralizojë gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Masakra e përgjakshme ndaloi vrasësin kur një fqinj i tij, hapi zjarr duke e vrarë.
“Të gjithë jemi ende në shok, nuk mund ta besoj atë që bëri. Kam dëgjuar se borxhi ishte shkaku i kësaj masakre të tmerrshme. Kishte probleme me fqinjin, ta vriste, por pse gruaja dhe fëmijët e tij të pafajshëm”, tha për Kurir një i afërm i vrasësit.
Boriloviç raportohet se është baba i tre fëmijëve. Gruaja dhe fëmijët e tij nuk ishin në shtëpi ditën e krimit, por në Herceg Novi.
Ai punonte në parkun kombëtar të Lovçenit, dhe sipas kolegëve ishte njeri i qetë dhe i tërhequr, por se kishte ndryshuar dukshëm kohëve të fundit.
“Sillej si një ujk i vetmuar”, tha një nga kolegët e tij.
Autori sulmoi një fqinj 15 ditë më parë
Boriloviç vetëm 15 ditë më parë, dyshohet se hyri në shtëpinë e një fqinji të tij dhe ua theu gjërat. Dje pasdite, sipas burimeve të brendshme, ai do duhej të shkonte Spitalin Psikiatrik në Dobrotë, për shkak të problemeve mendore që kishte shfaqur së fundmi.
Ai kishte dërguar fëmijët dhe gruan në Herceg Novi dhe sipas fqinjëve ishte shumë i mbyllur.
Mes viktimave të masakrës ishte edhe daja i sulmuesit, i cili kur dëgjoi për ngjarjen, u nis për ta penguar atë nga sulmet e mëtejshme ndaj fqinjëve.
Sipas një dëshmitari okular, vrarësi e goditi me një plumb në gjoks.
“Goran i dha Vuk të ndalte. Ky iu drejtua: Çfarë të ndal? Kush të dërgoi!, dhe më pas e qëlloi me një plumb të vetëm”, tregoi dëshmitari.
Boriloviç qëlloi mbi këdo që përpiqej ta pengonte, përfshirë policinë, duke plagosur rëndë një efektiv.
Qytetarët theksojnë se askush nuk mund ta parashikonte një tragjedi të tillë dhe se gjithçka mund të kishte përfunduar ndryshe.
“Po të ishte kundërpërgjigjur me kohë policia pas sulmit të parë ndaj fqinjëve dhe të kontrollonte shtëpinë e Boriloviç, me siguri do ta gjenin armën dhe do ta merrnin”, thotë një nga bashkëqytetarët.
Një tjetër shtoi: “Ai ishte i qetë dhe i zellshëm, ishte gjuetar dhe kishte pushkë, por është e paqartë pse e bëri këtë, nuk ishte i tillë, nuk ishte problematik.”