Sot pasdite gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile u mblodhën në një protestë simbolike në sheshin “Nënë Tereza” pas aksidentit që tronditi Tiranën, ku një shofer përplasi me makinë dy bashkëshortë dhe foshnjen e tyre 3 muajshe.
Të pranishmit në tubim u shprehën kundër mosndëshkimit të drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Duke marrë shkas nga aksidenti i frikshëm i ndodhur një ditë më parë ata shpalosën pankarta me mesazhe të forta për jetën.
“Karroca e jetës! Vizat e bardha në asfalt nuk janë drogë, janë për të kaluar këmbësorët”, kështu thuhet në një prej mesazheve që gazetarët mbanin në duar.
Vëmendjen e mori edhe një pankartë që mbahej në duar nga një fëmijë që bën apel për uljen e shpejtësisë gjatë drejtimit të automjetit.
Protesta vjen një ditë pas aksidentit të ndodhur në Tiranë ku Ajas Sulejmani, i cili drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike, u fut me semafor të kuq duke përplasur te vijat e bardha çiftin e bashkëshortëve Vilma dhe Arjan Konomi së bashku me fëmijën e tyre tre muajsh.