Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim lidhur me atentatin e ndodhur mesditën e sotme, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të mjetit ku po udhëtonte shtetasi Orlando Petkola.
Mësohet se Petkola punonte si shpërndarës i bombulave të gazit, teksa personat që kanë qëlluar ndaj tij kanë qenë duke lëvizur me një mjet tip “Golf”.
Si pasojë e breshërisë së plumbave, Petkola ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit e për pasojë mjeti ka dalë nga rruga, por pa pësuar dëmtime fizike.
Përmendim se Petkola është djali i një oficeri policie, dhe tanimë është duke u marrë në pyetje, nëse ka emra personash të dyshuar që mund të fshihen pas atentatit.
Njoftimi i policisë:
Në rrugën dytësore Xhafzotaj –Shijak, rreth orës 12:10, nga një automjet tip “Golf”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Kamionçinë”, që drejtohej nga shtetasi O. P.
Si pasojë e të shtënave nuk ka persona të lënduar.
Drejtuesi i kamionçinës ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga, por pa pësuar dëmtime fizike drejtuesi i mjetit.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët kryesore e dytësore, si dhe kanë rrethuar zonën. Vijon krehja e saj për kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtoim e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve.