Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca ka zhvilluar sot një takim me profesorë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në fokues të bisedës ishte siguria ushqimore dhe pikëpyetjet e ngritura për konsumin e pulave në një kohë kur gripi i shpendëve është i pranishëm në vend.
Frida Krifca tha se autoritetet i kanë marrë të gjitha masat, ndaj nuk ka vend për panik.
“AKU ka qenë prezent kontrolle të intensifikuara për t’i dhënë garancinë e duhur konsumatorëve se ato produkte të certifikuara, në dyqane të certifikuara janë brenda standardeve ushqimore Pas këtyre stabilimenteve dhe dyqaneve ka një zinxhir shumë të madh punëtorësh e cila është vënë sot në vështirësi shumë të mëdha”, tha Krifca.
Specialistët siguruan se ky lloj gripi nuk transmetohet nga shpendët tek njeriu ndaj konsumatorët mund të jenë të qetë.
“Në rastin tonë kemi shtama H5N8 që prek vetëm shpendët dhe nuk transmetohet te njeriu”, tha Kapllan Sula, pedagog në UBT.
“Duhet që ne të jemi aktivë për të qetësuar situatën me fakte shkencore në mënyrë që publiku të qetësohet dhe tregtia të mos cenohet, sepse vërtet konsumatori në këtë situatë nuk ka asnjë rrezik”, u shpreh Kujtim Mersini, Epidemiolog.
Aktualisht në Shqipëri janë 6 vatra të konfirmuara me gripin e shpendëve, në Divjakë, Devoll, Korçë, Durrës, Dibër dhe Vlorë.